Humbi prindërit në aksident, postimi prekës i Alban Bushit: Jam dëshmitar i pafuqisë ekstreme për të ndryshuar atë ç’ka ndodhur
Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka reaguar në lidhje me vdekjen e prindërve të tij në një aksident në Selanik.
Me një postim, ai ka treguar dhimbjen e madhe dhe vështirësinë për ta përballuar.
“Mënyra për ta pranuar një humbje është e lidhur me mënyrën se si ka ardhur. Një vdekje e ardhur nga shkaqe natyrale është e dhimbshme, por është ulëritëse kur vjen për shkak të një aksidenti.
Nuk di sa forcë duhet për të përballuar veten që rri para jush, si dëshmitar i pafuqisë ekstreme për të ndryshuar atë ç’ ka ndodhur. Madje dhe kur fatmirësisht vjen një kujtim i mirë, s’ke fuqi as për britmë lumturie, por zëvendëson një palë lot me të tjerë.
Sot dhimbshëm mora orat që kane punuar në pulsat e zemrave tuaja, aq me formë dhe vlerë në orë të pafundme pa formë që kur ai aksident me një përplasje ju hoqi fillin e jetës. Deri në përqafimet tona të ardhshme, ju dua pafundësisht, përjetësisht dhe përtej”, shkruan Bushi në postimin e tij.
Ndër të tjera ai ka zbuluar se nesër do të mbahen homazhet për prindërit e tij të ndjerë.
“Të dashur miq dhe të afërt, në emër të familjes sonë lejomëni t’ju falenderoj përulësisht, për praninë tuaj përmes mesazheve të panumërta.
Duke ju kërkuar një ndjesë të thellë, në pamundësi t’ju përgjigjem, ju njoftoj me dhimbje të pamasë se:
Homazhet për shumë të dashurit prindërit tanë do të mbahen të premten , më 1 nëntor 2024 nga ora 9:00 – 15:00. Më pas, kortezhi mortor do të drejtohet për në vendin e fundit të pushimit në Varrezat e Sharrës”.