Haradinaj jep detaje nga vizita e tij në SHBA, thotë se ishte këmbëngulës në anëtarësimin e Kosovës në NATO
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kë bërë të ditur se sot në mbledhjen e kryesisë të subjektit që ai drejton, kanë diskutuar për orientimet programore të Aleancës.
Ndër tjera, Haradinaj thotë se i ka informuar anëtarët e AAK-së në detaje, për vizitën e tij të fundit në SHBA.
”Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Aleancës u diskutua për orientimet programore dhe agjendën e parafushatës, si dhe u miratua rregullorja e brendshme financiare e AAK-së. Gjithashtu, pata mundësinë t’i informoj kolegët për vizitën time të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë qëndrimit tim në ShBA, theksi kryesor u vendos në kërkesën për anëtarësimin e drejtpërdrejtë të Kosovës në NATO. Ky hap përfaqëson kthesën më të rëndësishme për sigurinë e Kosovës dhe elementin kyç për garantimin e zhvillimit ekonomik dhe ngritjen e standardit të jetesës për qytetarët tanë, duke përfshirë pagat dhe pensionet e dinjitetshme.
Anëtarësimi në NATO është një strategji gjithëpërfshirëse që do të përmirësonte sistemet arsimore dhe shëndetësore, si dhe do të hapte perspektivë zhvillimi që do të ishte shtysë e madhe për qëndrimin e popullatës në vend, emigrimi i së cilës ka marrë përmasa shqetësuese.
Kjo qasje pasqyron vizionin e gjerë që kërkon udhëheqja kombëtare. Duke e parë anëtarësimin në NATO si një përgjigje për zhvillimin e përgjithshëm të vendit, Aleanca dhe partnerët e saj të koalicionit po ndërmarrin një hap ambicioz drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Kosovën”.