Limaj: Organet e drejtësisë dhe sigurisë të garantojnë mbrojtjen e gazetarëve
Kryetari i NISMA-s. Fatmir Limaj ka reaguar pasi në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi u gjet një pajisje gjurmuese.
Limaj thotë se është sulm i rëndë ndaj lirisë së medias dhe sinjal për të gjithë ata që angazhohen për transparencë dhe ndriçimin e të vërtetës.
Ai ju bën thirrje institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që të hetojnë këtë rast me përparësi të lartë dhe të garantojnë mbrojtjen e gazetarëve.
Reagimi i plotë:
Zbulimi i një pajisjeje përgjuese në automjetin e gazetarit Vehbi Kajtazi është një sulm i rëndë ndaj lirisë së medias dhe një sinjal shqetësues për të gjithë ata që angazhohen për transparencë dhe ndriçimin e të vërtetës.
Gazetarët tanë nuk duhet të përballen me kërcënime apo mbikëqyrje për punën e tyre të guximshme dhe të domosdoshme për një shoqëri të informuar.
Si kryetar i Nismës Socialdemokrate, i bëj thirrje institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që të hetojnë këtë rast me përparësi të lartë dhe të garantojnë mbrojtjen e gazetarëve.
Kjo është koha që si shoqëri të qëndrojmë në mbrojtje të të drejtave të lirisë dhe për mbrojtjen e të drejtave të patjetërsueshme të qytetarëve tanë.
Një Kosovë e fortë është një Kosovë që respekton dhe mbron lirinë dhe transparencën pa asnjë kompromis!
Fatmir Limaj