Largimi i Feronikelit nga garat, këto skuadra do të penalizohen më së shumti sipas rregullores së FFK-së
FC Feronikeli ’74 njofoti sot edhe zyrtarisht tërheqjen nga garat për edicionin 2024/25, pasi sipas tyre po dëmtohen nga gjyqtarët.
Klubi nga Drenasi nuk do të vazhdojë më garat në futboll, pasi sipas tyre rrethanat nuk ia lejojnë një gjë të tillë.
“Tigrat e Zi” janë ankuar disa herë në gjykimin e ndeshjeve të tyre, ku kanë thënë se i janë humbur shumë pikë dhe tashmë është bërë “mjaftë”.
Feronikeli ’74 e ka ftuar prokurorinë që të hetojë gjyqtarët dhe sjelljet e tyre të njëanshme, të cilat kanë dëmtuar sportin që të gjithë e duam, teksa kanë kërkuar falje të sinqerta për futbollistët, tifozët “Tigrat e Zi”, për donatorët dhe për të gjithë ata që kanë qëndruar përkrah tyre ndër vite.
Por, çfarë ndodh me futbollin e Kosovës e sidomos me ligën elitare, me rastin e largimit të Feronikelit ’74?
Ballkani do ta humbte vendin e parë, derisa Malisheva do të rikthehej në krye.
Drita po ashtu do të shënonte ngritje në tabelë, duke u pozicionuar e dyta.
Ferizaj do të goditej më së shumti nga ky vendim, duke mbetur në vendin e fundit me 8 pikë. Klubit ferizajas do t’i hiqeshin gjashtë pikë, pasi ka dy fitore ndaj Feronikelit ’74.
Kjo për shkak se sipas rregullores së FFK-së, nëse një klub tërhiqet nga garat ende pa zhvilluar 50% të ndeshjeve të sezonit, atëherë çdo pikë e arritur ndaj tyre do të shpallet e pavlefshme.
Tabela e re:
Malisheva 18 pikë (-1 pikë)
Drita 17 pikë (-1 pikë)
Ballkani 16 pikë (-3 pikë)
Suhareka 14 pikë (-3 pikë)
Prishtina 13 pikë (-3 pikë)
Llapi 11 pikë (-4 pikë)
Gjilani 10 pikë (-3 pikë)
Dukagjini 8 pikë (-3 pikë)
Ferizaj 8 pikë (-6 pikë)