Mbi 150 viktima nga përmbytjet në Spanjë, alarm i ri meteorologjik
Vijon të përkeqësohet bilanci i viktimave nga përmbytjet që goditën disa pjesë të Spanjës të mërkurën. Sipas një përditësim të fundit raportohet për 158 viktima. Mediat vendase raportojnë se 155 vdekje janë regjistruar në rajonin e Valencias, ndërsa pjesa tjetër në Castilla-La Mancha dhe një tjetër, një britanik, në Andaluzi.
Banorët e Valencias i kanë përshkruar si skena “makthi” situatën nga përmbytjet. “Ne të gjithë njohim dikë që ka vdekur”, thotë një nga banorët, shkruan A2.
Ndëra qendra e urgjencës në Valencia po identifikon viktimat. “Vazhdon procesi i mbledhjes dhe identifikimit të viktimave”, tha qendra, kurse kryeministri Pedro Sánchez vizitoi qendrën më herët këtë mëngjes.
Ekipet e urgjencës po vazhdojnë kërkimin për të zhdukurit, me qindra ushtarë të vendosur në Valencia për të ndihmuar në operacion.
Pamjet dhe videot tregojnë disa shpëtimtarë që luftojnë me ujërat e përmbytjeve për të kërkuar të mbijetuarit.
Ndërkohë mëngjesin e sotëm është dhënë një paralajmërim i ri për motin për një pjesë të rajonit të Valencias, të shkatërruar nga tragjedia e djeshme. Agjencia shtetërore meteorologjike Aemet lëshoi, në X, nivelin më të lartë të alarmit për provincën e Castellon, raporton A2.
“Tashmë ka stuhi shumë të forta në zonë, veçanërisht në veri të Castellon-it. Moti i keq vazhdon! Kujdes!” shkroi Aemet, duke u bërë thirrje njerëzve që të mos udhëtojnë.
Mbrojtja Civile Spanjolle u dërgoi një mesazh banorëve të Castellón që “në rast të shirave të dendur” ata të qëndrojnë në shtëpitë e tyre “në zona të larta” dhe, nëse janë në rrugë, “të strehohen në vende të larta”. Mbrojtja Civile kërkon gjithashtu që qytetarët të mos lëvizin në rrugë pas paralajmërimit të ri të motit. (A2 Televizion)