Bajrami i përgjigjet Muratit: Gjatë 2023-ës për karburante janë shpenzuar 31 milionë euro, çka ka me thanë “ministri i financave”?
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është përgjigjur një postimi në Facebook të ministrit të Financave, Hekuran Murati, mbi fitimet e Trustit.
Murati pak më herët kishte rikthyer një deklaratë të vitit të kaluar të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kishte akuzuar Qeverinë se po rri në gjumë ndërsa Trusti po humb gjysmë milionë euro në ditë.
Ministri tha se ky ishte një “parashikim ogurzi” i Abdixhikut, ndërsa tha “kthimi/fitimi i Trustit ka kapur shifrën 203 milionë euro për 9 muajt e parë të vitit 2024”.
Por, Bajrami ka nxjerrë disa statistika përmes të cilave thotë se në javën e parë të gushtit mjetet në Trust kishin pasë ulje të fitimeve për rreth 60 milionë euro.
“Hekurani paska folë edhe për Trustin. Gjendja e mjeteve në Trust javën e parë të Gushtit, ulje e fitimeve për rreth 60 milionë Euro”, shkroi Bajrami.
Ajo në një postim paraprak tha për Muratin se “paska vendosë me kalu kohën në facebook”.
Postimi i plotë:
Një pyetje publike për Hekuran Muratin i cili sot e paska vendosë me kalu kohën në facebook.
Çka ka me thanë ”ministri i financave” lidhur me konfirmimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2023, faqe 42, ku thuhet se gjatë vitit 2023 vetëm për karburante janë shpenzuar 31 milionë Euro, ndërsa për furnizime mjekësore 51 milionë Euro.
Pra, furnizime mjekësore për krejt qytetarët e Kosovës 51 milionë Euro, a veç naftë për vetura zyrtare 31 milionë Euro, (ta kemi të qartë bëhet fjalë për një një vit, jo për një mandat).
P.S.
Në 2019 shpenzimet e karburantit kanë qënë 8.5 milionë Euro RVA (2019), faqe 35, ndërsa norma e inflaciont për këtë produket 2019-2023 është 22%.
Shihni linkun e raportit për 2023 dhe lexojeni vetë në faqe 42.