Raporti i Progresit, reagon AGK: Ka përpjekje të Qeverisë për kontroll mbi median

Raporti i Progresit, reagon AGK: Ka përpjekje të Qeverisë për kontroll mbi median

Të mërkurën Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për vitin 2024, ndërkaq sot  Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thekson se në seksionin për lirinë e shprehjes vlerësohet se Kosova ka bërë “përparim të kufizuar” sa i përket lirisë së shprehjes.

AGK thotë tutje se Raporti thekson gjithashtu zhvillime që janë perceptuar si përpjekje të Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi median.

“Raporti i Progresit për këtë vit ngre shqetësime për paqëndrueshmërinë e Transmetuesit Publik dhe dorëheqjet e shumta në mesin e drejtuesve dhe anëtarëve të lartë të Bordit, duke theksuar se Transmetuesi Publik duhet të trajtojë me shpejtësi shqetësimet që lidhen me përgjegjshmërinë dhe pavarësinë editoriale”.

Sipas AGK-së, lidhur me sulmet ndaj gazetarëve, Raporti thekson se ende vazhdon të mbetet një nivel i pandëshkueshmërisë, gjë që është një shqetësim serioz për lirinë e medias.

“Në fund, Raporti potencon se rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk janë zbatuar dhe mbeten të vlefshme”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve në vitin e ardhshëm, Kosova duhet të përqendrohet në rekomandimet kryesore të Raportit të Progresit:

Të përmirësojë kapacitetin e autoriteteve për të trajtuar rastet që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes   

Të zhvillojë protokolle dhe trajnime për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, përfshirë mekanizmat e paralajmërimit të hershëm dhe të reagimit të shpejtë; 

Të sigurojë zbatimin e Ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave duke e harmonizuar me acquis të BE-së dhe standardet evropiane   

Të rishikojë Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës për financim të qëndrueshëm, duke ruajtur pavarësinë e saj .

Për një media të lirë dhe të pavarur, zbatimi i këtyre rekomandimeve mbetet kyç për progresin e Kosovës në integrimet evropiane.

Shpërndaje në: