Kurti s’e ka haberin për Raport të Progresit, thotë se “pothuajse në të gjitha fushat është shënuar progres”

Kurti s’e ka haberin për Raport të Progresit, thotë se “pothuajse në të gjitha fushat është shënuar progres”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë ‘versionin’ e tij për Raportin e BE’së, të cilin e pranoi sot nga shefi i  Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorin Aivo Orav.

Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media thotë se sipas Raportit të BE’së, Kosova s’ka pasur ecje mbrapa, por pothuajse në të gjitha fushat është shënuar progress.

“Në pikat e tij kryesore, Raporti i BE-së për Kosovën vlerëson pozitivisht liberalizimin e vizave si një hap që pritet të përmirësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen. Ai vlerëson përkushtimin e Kosovës për përputhshmërinë me politikat e BE-së, nga ku veçohet linjëzimi me politikën e jashtme të BE-së një hap që reflekton angazhimin për bashkëpunim dhe integrim të plotë në familjen evropiane”.

Tutje thuhet se në raportin e këtij viti gjithashtu vlerësohet angazhimi aktiv i Kosovës në zbatimin e Planit të Rritjes, Agjendën e reformave si dhe angazhimin në promovimin e bashkëpunimit rajonal në zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA me marrëveshje të reja që forcojnë tregtinë dhe lidhjet ekonomike brenda rajonit.

“Forcimi i kornizës ligjore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vlerësohen gjithashtu pozitivisht si prioritet i qeverisë për një shtet të së drejtës. Reformat zgjedhore, sikurse edhe përmirësimi i kushteve të tregut të lirë dhe mbështetja për sipërmarrësit që ndihmon në rritjen e konkurrencës dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Raporti vëren se nuk ka pasur asnjë ecje mbrapa në asnjërën nga fushat kyçe të reformës, ndërkohë që pothuajse në të gjitha fushat është shënuar progres – dëshmi kjo e përkushtimit të qeverisë për përparim dhe progres të vazhdueshëm”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri mirëpriti rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar në rrugën e reformave.

“Integrimi i plotë i Kosovës në BE mbetet qëllimi ynë strategjik dhe angazhimi në reforma është në interes të qytetarëve për progress të gjithmbarshëm demokratik dhe socio-ekonomik”.

Shpërndaje në: