Kryeinspektori Hekuran Nikçi qorton inspektorin që i ndihmoi prokurorisë në ndjekje të Milan Radojiçiçit

Kryeinspektori Hekuran Nikçi qorton inspektorin që i ndihmoi prokurorisë në ndjekje të Milan Radojiçiçit

Gjatë hetimeve të Prokurorisë Speciale për rastin e sulmit në Banjë të Zveçanit, organet e drejtësisë kishin autorizuar policët hetues të kërkojnë të dhëna nga Inspektorati Qendror i Punës për kompaninë “RAD d.o.o” që kontrollohej nga Milan Radojiçiç, por bashkëpunimin i Inspektoratit me Policinë e Kosovës e kishte kundërshtuar kryeinspektori i emëruar nga Albin Kurti, Hekuran Nikçi.

Në e-mailat që ekskluzivisht i ka siguruar Albanian Post, kuptohet se si Nikçi fillimisht kishte kërkuar llogari se përse institucioni bashkëpunoi me policët hetues dhe më pas kishte kërcënuar Shefin e Inspektoratit të Punës ne rajon të Mitrovicës se do t’i jap nota të dobëta në vlerësimet për vitin 2024 (vlerësime që mund të çojnë deri në largimin nga vendi i punës).

Krejt kjo pasi ai kishte autorizuar dërgesën e dokumenteve që policia i kërkonte për të hetuar linjat financiare të kompanisë përmes të cilës Radojiçiç fitonte tenderët nga Qeveria e Kosovës, Serbia dhe gjithashtu nga Bashkimi Evropian e më pas shpëlante para për të financuar veprimtarinë terroriste të grupit të tij.

Edhe në aktakuzën e publikuar për rastin në Banjë, thuhet se “Prokurori special, ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë/Departamenti Special/Gjyqtari i Procedurës Paraprake, Kërkesë për Masën e Veçantë Hetimore – Zbulimi i të Dhënave Financiare, kundër të pandehurve Radule Steviç në cilësi të personit të përgjegjës të personit juridik RAD D.O.O dhe personit juridik RAD D.O.O me pronar Radule Steviç”.

Për të zgjeruar hetimin, hetuesve do t’u duheshin të dhëna për këtë kompani nga Inspektorati Qendror i Punës. Ata do t’i kërkonin ato dhe inspektorët përkatës do t’ua dorëzonin.

Por, me 24 korrik, në orën 6:16 të mëngjesit Nikçi i kërkon llogari Shefit të Inspektoratit të Punës ne rajon të Mitrovicës, Nexhat Fazliut, për këtë bashkëpunim ndërinstitucional.

Ju kërkoj të më njoftoni se a i keni dhënë qasje në dokumentet e kërkuara palës?”, pyet Nikçi.

E-maili i Hekuran Nikcit per Nexhat Fazliun

Në të njëjtën ditë, Fazliu i përgjigjet Nikçit duke i sqaruar se kjo është një procedurë e rregullt e bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës.

Madje, e njofton se çfardo që i kanë përcjellur policisë, ai ka qenë i njoftuar përmes bashkëngjitjes në e-mail.

I nderuar Nikçi, ju njoftoj se policët të cilët kanë kërkuar dokumentacionin në fjalë, kanë qenë me autorizim të Prokurorisë së Shtetit dhe kërkesën e policisë e kam përcjellur te inspektori Vehbi Malaj dhe inspektori ua ka përcjellur dokumentacionin e kërkuar përmes e-mailit zyrtar të skanuar policëve në fjalë”, sqaron Fazliu në mesazhin elektronik që Albanian Post e ka siguruar nga organet e drejtësisë në Kosovë.

Ai ia rikujton Nikçit se gjithçka është bërë sipas rregullave dhe “edhe ju keni qenë i njoftuar në e-mail, duke ju mbajtur në CC”.

E-maili i Nexhat Fazliut per Hekuran Nikcin

Por, Nikçi me një insistim të pakuptueshëm në mesazhin e radhës ankohet sërish që nuk është dashur të bashkëpunohet me organet e rendit.

Pavarësisht nga kush vjen kërkesa ju duhet ta njoftoni eprorin me kërkesën, në këtë rast mua”,  thotë Nikçi.

Ai vazhdon duke u ankuar dhe i shkruan Fazliut se “çdo dokument zyrtar brenda institucioni për të dalur jashtë tij në një institucion tjetër, ndjek një procedurë”, duke mos e bërë të qartë se çfarë procedure është shkelur në këtë bashkëpunim të zakonshëm në mes të Inspektoratit Qendror të Punës dhe Policisë e Prokurorisë së Kosovës.

Në fund, Nikçi e bën qortimin e tij konkret, duke i shkruar Fazliut që “ky veprim, apo mosveprim i juaji, përkundër kërkesave të mia do të përfshihet me notë jo të kënaqshme përgjatë vlerësimit të përformancës tuaj për këtë vit, 2024”.

E-maili i radhes me qortim i Hekuran Nikcit

I befasuar me këtë kërkesë dhe vlerësim të kryeinspektorit, Fazliu i dërgon edhe një e-mail me sqarime shtesë eprorit të tij.

“Sa për njoftimin tuaj, kërkesa në lidhje me informatat që i kanë kërkuar Krimet Ekonomike në Prishtinë, lidhur me subjektin juridik RAD, është bërë konform autorizimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me numër autorizimi PPS.nr75/2023”.

Inspektori Fazliu i bën gjithashtu të qartë kryeinspektorit që “informatat nuk kanë dalur jashtë institucionit, sepse Prokuroria Speciale dhe Policia janë institucione të Republikës së Kosovës dhe ne e kemi për obligim të bashkëpunojmë dhe të koordinojmë veprimet dhe çdo kërkesë e tyre duhet të i përgjigjemi”.

Fazliu i kërkon Nikçit që të mos bëjë presione të tilla, sepse përndryshe atij do t’i duhet “t’i drejtohem prokurorisë speciale dhe policisë”.

Ai ia përsëritë se ata thjesht kanë bashkëpunuar me policinë “konform autorizimeve të Prokurorisë Speciale duke ju mbajtur të informuar në e-mail zyrtar” dhe se vetëm “ua kemi dërguar dokumentet e kërkuara”.

Fazliu ia kthen e-mailin Nikcit

Në e-mailin pasues, Nikçi kërcënon Fazliun që ndaj tij mund “të merren veprime”.

Albanian Post e ka kontaktuar Hekuran Nikç-in. I njëjti fillimisht ka dashur një takim privat, për siç ka thënë “ta sqaroj situatën”.

Duke ia bërë të ditur se sqarimi duhet të bëhet para kamerës dhe për publikun, pas insistimit të mediumit Nikçi ka pranuar.

Por, i njëjti më pas ka refuzuar ta realizohet intervista ashtu siç ishte dakorduar fillimisht.

Unë ju kam thënë të hënën, tash ka kaluar e hëna dhe jam shumë i zënë me punë dhe s’mund të përgjigjem më”, ka qenë përgjigja e Nikçit.

Shpërndaje në: