Krasniqi për Raportin e Progresit 2024: Shqetësuese dhe alarmuese

Krasniqi për Raportin e Progresit 2024: Shqetësuese dhe alarmuese

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka shkruar për gjetjet e raportit të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Ai ka thënë se është raporti më negativ që vendi ynë ka marrë ndonjëherë.

Sipas Krasniqit, mesazhet e raportit që Kosova është duke u qeverisur keq, dhe që mbetet nën sanksione, janë të qarta.

Krasniqi tutje ka akuzuar Qeverinë për dështim që sipas tij janë veprime të qëllimshme, të ndërmarra me vetëdije nga Kryeministri dhe vartësit e tij.

Postimi i plotë:

Raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën, për vitin 2024, i cili i është dorëzuar Qeverisë dhë është publikuar sot, është raporti më negativ që ka marrë vendi ynë ndonjëherë.

Mesazhet kryesore që dalin prej tij janë të qarta:

Kosova mbetet nën sanksione!

Kosova është duke u keq-qeverisur!

Kosova është duke ecur prapa në të drejtat dhe liritë e njeriut, lirinë e shprehjes dhe të mediave, si dhe në drejtësi!

Tri shtylla themelore mbi të cilat ndërtohet dhe funksion shteti demokratik dhe zhvillimor, janë në stagnim apo regres.

Tri fusha për të cilët është përgjegjëse e vetme Qeveria e Republikës së Kosovës, e për të cilët Partia Demokratike e Kosovës e ka ngritur zërin vazhdimisht gjatë këtyre katër viteve.

Fatkeqësisht, dështimet e Qeverisë së Kosovës, të paraqitura në këtë raport, nuk janë vetëm pasojë e jo-kompetencës dhe paaftësisë së tyre, por janë veprime të qëllimshme, të ndërmarra me vetëdije nga Kryeministri dhe vartësit e tij, si mjete për ruajtjen e pushtetit. Ky është një sabotim i zhvillimit dhe integrimit të vendit.

Raporti është shqetësues dhe alaramues, e të cilit nuk i gëzohet askush, por i cili kërkon vëmendjen dhe reagimin e qytetarëve. Lajmi i vetëm i mirë në këtë mes është se 9 shkurti po afrohet, dhe me të, edhe fundi i kësaj Qeverie.

Qytetarët tanë, shteti ynë, meritojnë më mirë dhe më shumë. Meritojnë një Qeveri të përgjegjshme, e cila do ta rikthej Kosovën në drejtimin e duhur. Tjetër alternativë nuk ka!

 

Shpërndaje në: