Musliu tregon detaje pas takimit: Salih Zyba i VV-së ushtroi presion direkt mbi drejtorin e AKI-së dhe mbi mua
Ka përfunduar takimi i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, Petrit Ajeti me anëtarët e Komisionit. Kryetarja Ganimete Musliu para mediave ka thënë se kanë ftuar në raportim drejtorin mbi shqetësimet për ndërhyrje të mundshme të AKI-së në media dhe ndërhyrjen e Dejona Mihali, koordinatores së komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje në institucionet e pavarura të vendit.
Musliu, duke marrë parasysh largimin e deputetëve të VV-së nga ky takim, tha se u dakorduan që të kenë një takim bashkëbisedues.
Por, edhe aty, siç konfirmoi Musliu, tentoi të ndërhyjë deputeti i VV-së, Salih Zyba.
“Duke u bazuar në rregulloren dhe ligjen e Kosovës, bazuar në kompetencat tona ligjore e kemi ftuar në raportim drejtorin e AKI-së që të trajtohen shqetësimet e opinionet, për ndërhyrjen e mundshme të AKI-së në mediat e lira dhe ndërhyrjen e Dejona Mihalit në institucionet e pavarura dhe të rëndësishme të vendit.
Me kërkesën e deputetëve dhe miratimin e drejtorit Petrit Ajeti patëm një takim bashkëbisedues, por kjo u tentua të pengohet nga deputeti Salih Zyba i cili u kthye në sallë dhe ushtroi presion direkt mbi drejtorin dhe mua si udhëheqëse e Komisionit.” – u shpreh ajo.
Megjithatë, Musliu konfirmoi se nuk do të ketë ndonjë iniciative për hetim.
“Jemi në përfundim të mandatit parlamentar dhe çdo iniciativë e jona për çfarëdo qoftë do të merret me pretekstin se po bëjmë fushatë. Nuk kemi bërë ndonjë kërkesë për hetim, mirëpo kishte dakordim dhe vullnet nga drejtori i AKI-së që ne si komision të shkojmë në AKI dhe të kemi qasje në dokument që e reagojnë ose raporte që garantojnë transparencën dhe ligjshmërinë e vendimeve dhe procedurave.” – tha ajo