Serwer thotë se Serbia s’po e ndihmon dialogun: Vuçiq po ndërhyn në Bosnje dhe Mal të Zi
Profesori amerikan në universitetin John Hopkins, Daniel Serwer ka folur në lidhje me raportet midis Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur se a ekziston një zgjidhje mes dyja vendeve në lidhje me dialog, ai ka thënë se Serbia po e pengon një gjë të tillë, duke ofruar një opsion.
“Serbia mund ta pranojë se e respekton autoritetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe se do ta trajtojë atë (Kosovën) në mënyrë fqinjësore. Më pas ajo mund t’i ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës për incidentin terrorist në Banjskë dhe trazirat kundër trupave të KFOR-it. Një gjë e tillë do të ndryshonte në mënyrë dramatike dialogun, edhe pa njohje zyrtare diplomatike. Në vend të kësaj, Beogradi bëri të kundërtën. Ai vazhdon të vë në dyshim autoritetin qeverisës dhe integritetin territorial të Kosovës në çdo rast”, është shprehur ai për Danas.
Ndërkaq, i pyetur nëse Serbia ndërhyn në punët e brendshme të Malit të Zi, ai u shpreh se një gjë e tillë është e dukshme, ndërkaq në ato të Bosnje-Hercegovinës më pak e dukshme.
“Ndërhyrja në Mal të Zi është e dukshme. Ndërhyrja në Bosnje dhe Hercegovinë është disi më pak e dukshme, por kjo sepse Milorad Dodik më së shumti bën atë që dëshiron Vuçiq”.
“Ai (Vuçiq) aspiron një “botë serbe”, që do të thotë se Beogradi de facto kontrollon popullsinë serbe në vendet fqinje. Ai po bën shumë progres në këtë drejtim”, është shprehur Serwer.