Shitblerje të dhomave në konvikte, Qendra e Studentëve thotë se do të merren masa
Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i ka ftuar studentët që të mos shesin dhe blejnë vende në konvikte dhe kartela të mensës, duke thënë se ka ndërmarrë veprime për parandalimin e kësaj dukurie. Në reagim u tha se do të merren masa ndaj atyre që blejnë dhe shesin dhoma.
Reagimi i QP-së vjen pas raportimit të KOHËS ku studentë që kanë fituar të drejtën e qëndrimit në konvikte nëpërmjet konkursit, kundërligjshëm po i shesin dhomat, e çmimi shkon deri në 170 euro.
Qendra ka thënë se studentët s’duhet të bien pre e mashtrimeve të shfaqura në rrjete sociale për kinse shitje dhe blerje të dhomave.
“Njoftohen të gjithë studentët të cilët kanë siguruar vend në konvikte dhe mensën e studentëve, që të heqin dorë nga tendenca, qëllimi për manipulimet eventuale për shitje dhe blerje të vendeve në konvikte dhe kartela të mensës. Qendra e Studentëve ka ndërmarr veprimet e nevojshme për parandalimin e kësaj dukurie. Ka angazhuar zyrtar të cilët janë duke e gjurmuar tendencën, por figurojnë profile të rrejshme. Andaj i’u bëjmë thirrje studentëve që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve të shfaqura në rrjetet sociale. Ndaj këtyre rasteve do të merren masa ndëshkuese konform rregullores së Qendrës së Studentëve dhe nuk do të lejohen të ndodhin këto veprime”, thuhet në reagimin e Qendrës.