Dëshmitari Sopi e quan hero të gjallë Hashim Thaçin

Dëshmitari Sopi e quan hero të gjallë Hashim Thaçin

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Fatmir Sopi e ka quajtur hero të gjallë tashmë të akuzuarin nga Specialja, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Ai këtë deklarim e bëri kur iu kërkua nga prokuroria që të identifikojë personat që shiheshin në një fotografi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të nderuarin presidentin tonë-heroin e gjallë, Hashim Thaçin dhe krah tij shoh komandantin tonë të respektuar, Rrustem Mustafën”, tha Sopi duke treguar që në atë fotografi përveç Thaçit dhe Remit, ishte vetë ai dhe Salih Mustafa.

Dëshmitari tha se ka qenë seanca përgatitore kur ai e ka parë për herë të parë këtë fotografi. Ai pohoi se mund të jetë bërë pas kohës së luftës.

Përpara kësaj, atij iu prezantuan disa fotografi e që në njërën prej tyre tha se është vetë ai e krah tij është ulur Salih Mustafa. Ndërsa, tutje tha se të pranishëm në fotografi janë edhe Agron Xhemajli. Kurse, për një person tjetër tha se nuk i kujtohet se kush është.

Në një fotografi tjetër që iu prezantua, dëshmitari identifikoi vetën e tij, Salih Mustafën, Shemsi Sylën dhe Ahmet Isufi.

Dëshmitari tha se nuk e din kohën se kur është shkrepë fotografia si dhe nuk i kujtohet vendi por me siguri tha në Zllashë.

Dëshmitari pohoi se ka pas qendër stërvitje në Zllashë gjatë luftës.

“Po, në shkollën e Zllashit”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se ka dhënë mësim në atë shkollë për tetë vite përpara se të filloj lufta, në kohën kur mësimdhënësit kanë qenë të përjashtuar nga sistemi arsimor për shkak të regjimit.

“Brigada 153, komanda e saj për një kohë bukur të gjatë ka qenë në shtëpinë time”, tha Sopi duke shtuar se kjo brigadë e ka pasur kodin thirrës “Buna” gjatë luftës.

Ai tha se nuk e din se si caktoheshin kodet thirrëse për njësitet e UÇK-së, por që “Buna” ishte kodi i tyre.

Sopi u pyet se a ka pasur persona në Brigadën 153 që të kontaktojnë me mediat.

“Nuk ka pasur persona të caktuar për kontakt me mediat. Jo. Në kuadër të brigadës nuk kemi pasur ndonjë sistem informimi. Normal që s’do të komunikate me mediat sepse nuk kemi pas as kontakt me mediat kurrë.”, tha Sopi.

Sopi tha se kjo brigadë ishte nën përgjegjësinë e Zonës Operative e Llapit. Dëshmitari u pa teksa pohonte kur u pyet se nëse do të kishte zhvillime luftarake nga kjo brigadë, a do të ishte ZO e Llapit ajo që do të komunikonte me mediat.

Dëshmitari tha se në zonën ku ka vepruar ai, nuk kanë pasur mundësinë që të organizojnë mbrojtje civile për arsye që direkt janë inkuadruar në operacione ushtarake.

“Nuk kemi pas hapësirë që të merremi me organizimin e mbrojtjes civile. I vetmi organizim që e ka luajt rolin e mbrojtjes civile dhe furnizimin e Brigadës 153 ka qenë logjistika-sistemi logjistik në krye të cilës ka qenë heroi Ismet Asllani”, tha tutje dëshmitari.

Fatmir Sopi tha se ka qenë në dijeni që ka pasur struktura të mbrojtjes civile në Zonën Operative të Llapit por që nuk ka pasur qasje në sistemin e organizimit të tyre.

Sopi u pyet se a ka luftuar edhe me njësitet e tjera së bashku me njësitin të cilit ai i takonte gjatë luftës.

“Në ofensivën e madhe të 18 prillit 1999 kur forcat e mëdha ushtarako-policore dhe paramilitare kanë sulmu në katër anët njësitet tona dhe popullatën civile e cila ndodhej nën mbrojtjen tonë, në ato luftime janë përfshirë të gjitha njësitet e Brigadës 153, të gjitha njësitet e Zonës Operative që kanë qenë prezent në regjionin tonë, po ashtu kanë marrë pjesë edhe njësitet guerile të BIA-së”, tha Sopi.

Dëshmitarit iu prezantua një dokument duke kërkuar të tregonte nëse njihte personat që ishin përmendur në dokument.

Fatmir Sopi tha se disa prej tyre i njihte por jo të gjithë. Prokurori kërkoi që ky dokument të pranohet në prova materiale gjë të cilën e kundërshtoi mbrojtja.

Kurse, kryetari i trupit gjykues refuzoi pranimin e këtij dokumenti duke shtuar se nuk ka kurrfarë relevance.

“Njësitet e UÇK-së që kanë në kuadër të brigadës 153 kanë qenë nga Gollaku”, tha ndër tjerash dëshmitari.

Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorisë për këtë dëshmitar si dhe seanca kaloi në pushim për 30 minuta për t’u kthyer me pas me kundërpyetjet e mbrojtjes.

Shpërndaje në: