Nga buron suksesi 20 milion kopje i Hararit?

Nga buron suksesi 20 milion kopje i Hararit?

Yuval Noah Harari, një historian izraelit, është bërë një figurë globale përmes librave të tij më të shitur që trajtojnë të ardhmen teknologjike dhe antropologjike të njerëzimit, përfshirë Sapiens dhe së fundmi librin e sapo botuar ne shqip “Nexus”.

Po si mundi, me tre libra të njohur ndërkombëtarisht  – të shitura në 20 milionë kopje-, një historian i errët ushtarak izraelit te bëhej orakulli botëror i një bote të re, të lindur nga “bashkimi i infoteknologjisë dhe bioteknologjisë”? Kjo është rruga e autorit të Sapiens, Yuval Noah Harari.

Kur në librat e tij Yuval Noah Harari përmend vështirësinë e parashikimit të novacioneve të mëdha teknologjike që na presin, ai shpesh përdor të njëjtin shembull: në vitet 1950, njerëzit ëndërronin për koloni në Mars, makina me propulsim bërthamor. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Megjithatë, askush nuk arriti të parashikojë se thjeshtë nga lidhja midis disa kompjuterëve – një shpikje e inxhinierëve – do të lindte kjo teknologji që sot ka përmbysur plotësisht shoqëritë tona: Interneti.

Sikurse ndodh zakonisht me Hararin, parabola është perfekte, aq sa mund të pyesim nëse ajo mund të ketë nota autobiografike. Sepse kush do të kishte parashikuar, njëzet vite më parë, statusin e tij aktual si një guru global i të ardhmes bionumerike? Në vitin 2005, në moshën 29 vjeçare, ai shërbente si asistent në Universitetin Hebraik të Jeruzalemit, i specializuar në historinë ushtarake të Mesjetës. Asgjë e veçantë për të tërhequr kuriozitetin e turmave. Por, kur drejtoria e institucionit vendosi të krijonte një kurs të nivelit të parë për lëndën: “Një hyrje në historinë e botës”, ishte ai që e mori përsipër, pasi shumë profesorë të tjerë nuk u treguan entuziastë për një propozim të tillë. Kursi i tij i pëlqeu studentëve, ai e dyfishoi atë në volum dhe më pas pati idenë ta shndërronte në një libër, të cilin të gjithë botuesit e mëdhenj izraelitë e refuzuan: temë shumë e gjerë, autor i panjohur… Është e mundshme që as nuk e shfletuan. Më pas u gjet një botues që pranoi ta merrte riskun përsipër, dhe “Një histori e shkurtër e njerëzimit” – libri nuk kishte ende titullin “Sapiens” – u bë një best-seller në Izrael, në vitin 2011. Kapërcimi në tregun ndërkombëtar ishte i komplikuar. Harari u detyrua ta përkthente në anglisht botimin e parë të librit të tij, të cilin e realizoi përmes një shërbimi online me kërkesë të ofruar nga Amazon. Ai shiti 2,000 kopje! Derisa një agjente letrare e njohur izraelite e zgjidhi situatën.

I injoruar nga kritikët

“Sapiens” doli në vitin 2014 në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara duke u bërë best-selleri që njohim sot, por kjo nuk ndodhi menjëherë,ashtu  siç pretendon on legjenda. Në publikimin e tij, libri nuk u recensua nga asnjë nga gazetat e mëdha që formojnë opinionin, si “Neë York Times”, “Neë York Revieë of Books”, etj. Në fakt, sistemi i pëshpërtitjes vesh më vesh funksionoi. Ai pati fatin e disa mbështetjeve prestigjioze: Bill Gates e reklamoi, Mark Zuckerberg – “Zoti Facebook” – e përfshiu në listën e rekomandimeve të klubit të tij të leximit dhe, e fundit, por jo më pak e rëndësishme, Barack Obama tha në CNN për këtë “histori të njerëzimit të parë nga qielli” se i kishte dhënë të njëjtin emocion si vizita e tij në piramidat e Egjiptit!

Si e shpjegojmë këtë entuziazëm? Kritikët e vendosur e injoruan “Sapiens” pasi mendonin se qe nga ai lloj produkti që blihet nga ata që lexojnë vetëm një libër në vit: ata e trajtuan si njëri prej atyre librave vulgarë që blihen në dyqanet e aeroportit për të bërë më pak të mërzitshëm një fluturim të gjatë. Në të vërtetë, as ata nuk e kishin lexuar. Sepse, nëse “Sapiens” ka të gjitha stigmat e një blockbuster-i, mbi 500 faqe në format të madh, ai tërheq menjëherë për cilësitë e tij narrativë. Dhe kjo vërehet, që në kapitullin e parë, ku Harari rrëfen se si, 100,000 vjet më parë, Homo sapiens-at, që atëherë ishin “kafshë të parëndësishme, që nuk kishin më shumë ndikim në mjedisin e tyre në krahasim me se sa gorillat apomeduzat”, i dëboi neandertalët dhe kolonizoi planetin. Një sagë e denjë për një thriller në stilin e frymëzuar nga gjeografi dhe biologu amerikan Jared Diamond. Sipas Hararit leximi në vitin 1998, i librit të tij me çmim Pulitzer, “Për pabarazinë midis shoqërive”, në ishte një “zbulim” për të. Aty ai mori modelin se është e mundur të paraqiten ide pa u bërë e mërzitshme, madje duke mbajtur standardin mjaft lart dhe pa mërzitur lexuesin!

Sepse “Sapiens” është një libër idesh, dhe i një ideje origjinale në veçanti, që rikthehet s leitmotiv në të gjitha veprat e Hararit,asaj të “revolucioni kognitiv”.

Sipas kësaj teze forza e Homo sapiensit vjen nga fakti se, ndryshe nga kafshët e tjera, ai arriti të krijojë përmes gjuhës gjëra që nuk ekzistojnë në realitet – zoti, kombi, të drejtat e njeriut, dollari, etj. Kjo aftësi për të krijuar “fiksione intersubjektive” shpjegon, sipas Hararit, se si Homo sapiens arriti të organizonte bashkëpunime të mëdha midis individëve që nuk e njihnin njëri-tjetrin.

Nga kjo aftësi e veçantë lëndën “revolucioni bujqësor” dhe më pas, në këto pesëqind vitet e fundit, “revolucioni shkencor”, por prej këtej gjithashtu libri ngre një pyetje dramatike: mos vallë falë gjenialitetit gjenetik dhe fuqizimit të këtyre entiteteve “joorganike”, që janë inteligjencat artificiale, ne jemi duke parë perëndimin e Homo sapiens dhe zëvendësimin e tij të shpejtë nga një specie e re e gjinisë Homo?

E kuptojmë, në dritën e kësaj përmbledhjeje, se përse Silicon Valley e bëri “Sapiens” totemin e vet. Prej këtu lindi edhe një dyshim: a mund të qe Harari megafoni i një sektori teknologjik që pretendon të bëhet hegjemon? Ky është në fakt një keqkuptim i madh. Sepse, megjithëse ai është orientuar, në një reflektim mbi të ardhmen, ai e ka bërë këtë në mënyrën e tij provokuese. Ai shpeshherë ka paralajmëruar krijimin e një shoqërie me dy shpejtësi që, nga njëra anë, ka një elitë të pasur, aktive dhe “të pavdekshme” (falë mjekësisë së re, që zgjat pafundësisht jetën, përveç aksidenteve) dhe, nga ana tjetër, një masë domosdoshmëria e së cilës është bërë e panevojshme prej inteligjencave artificiale. Ndërsa herë të tjera ka parashikuar shfaqjen e AI-së të bazuar në algoritme të sofistikuara që arrijnë të na njohin më mirë se ne vetë, duke kontrolluar, për pasojë, të gjithë sektorët e jetës sonë.

I gatshëm për të provokuar

Hararit nuk ia ka ënda që ta paraqesin si një pesimist. Por ama është e vërtetë se ai e ruan veten e tij nga çdo fluturim naiv mbi përfitimet e progresit. Kush tjetër do të mundte të kualifikonte revolucionin bujqësor si “mashtimin më të madh në histori”? Ose të shkruante se “ne nuk kemi asnjë provë se mirëqenia e njerëzve përmirësohet patjetër me kalimin e kohës”? Madje, mund të thuhet se ka një aspekt cinik në mendimin e tij.

Ai është një ateist i bindur, nuk është fans i judaizmit dhe as, për më tepër, i Shtetit hebre sipas ligjit të vitit 2018, për të cilin e kritikojnë izraelitët. Ai është gjithashtu antinacionalist, duke e refuzuar idenë e kombit, që i duket shumë e ngushtë në një botë ku të gjitha çështjet e mëdha janë globale. Ai nuk heziton të provokojë. Deklaratat e tij mbi terrorizmin, në librin “21 mësime për shekullin XXI” ku thotë se ai vret mijëra herë më pak se sheqeri i shtuar në ushqimet industriale, kanë shkaktuar shumë polemika. Po ashtu, ai denoncon rolin e “mishit si objekt” – të cilin ai nuk e konsumon, pasi është vegan – që i atribuojmë kafshëve, ose refuzon mentalitetet anti-homoseksuale. Harari është homoseksual dhe i martuar me menaxherin e tij. Ai jo vetëm që nuk e fsheh, por shpesh thotë se ky status si outsider në vendin e tij (ai e ka bërë martesën në Qipro, pasi lidhjet mes të njëjtit seks nuk njihen në Izrael) i ka dhënë aftësinë të “sfidojë idetë e zakonshme”.

Ai nuk është aspak një përshkrues i mërzitshëm, si shumica e vulgarizuesve. Harari ka një qasje të vetën si autor. Ai ka një ton, një personalitet të vërtetë. Edhe nëse përsërit veten, ai nuk mbetet në vend, pasi vazhdon të ecë përpara në reflektimin e tij, siç tregon vepra e re, “Nexus”, që trajton çështjet e informacionit.

Siç ndodh me të gjithë autorët e suksesshëm, Harari është përballur me shumë kritika, jo gjithmonë të arsyeshme. Disa akademikë kanë theksuar gabime në veprat e tij. Kjo ndoshta është e vërtetë në detaje, por a është kaq e rëndësishme?

Harari përgjigjet se qëllimi i tij nuk është aq për të përshkruar saktësisht teknologjitë e reja, por për të reflektuar mbi ndikimin e tyre mbi njerëzit. Ai është më shumë një historian-filozof sesa një shkencëtar, dhe sado që disa mangësi të vogla në të vërtetat shkencore mund të jenë të pranishme në tekstet e tij, kjo nuk ka shumë rëndësi! Megjithatë, ai i ka korrigjuar gabimet. Ndërsa e kritikonin për moscitim të burimeve në “Sapiens” – parashtrimi i tij mbi mitet e krijuara nga njeriu ka pasur shumë pararendës që pretendohet se ai i injoron, si Niçe dhe Georges Sorel – ai i ka zgjeruar shënimet e tij të fundit në “Homo Deus” dhe në “Nexus”.

Stili i tij i humbjes në detaje

Në fakt, kritika më e madhe që mund t’i bëhet është diku tjetër: ajo ka të bëjë me paqartësinë ose fluiditetin e konkluzioneve që ai nxjerr. Edhe fansat e tij shpesh ankohen se ata nuk kanë mësuar më tepër pasi kanë mbyllur librat e tij. Kjo vjen nga stili i tij i humbjes ne detaje. Harari e pasuron aq shumë tezën e tij me të dhëna anësore saqë përfundojmë duke mos e ditur se çfarë do të thotë. Një revistë britanike, “The New Statesman”, madje i ka krahasuar konkluzionet e tij me ato maksima të thjeshta që gjenden në biskotat kineze.

Kjo është e vërtetë, por mjaft e padrejtë. Harari nuk është sigurisht mendimtari më i rëndësishëm i shekullit XXI, ashtu sikurse e lavdërojnë, por ai ka një mesazh universal të mirëinformuar që gjithmonë ia vlen të lexosh. Edhe “budizmi” i tij – ai praktikon çdo ditë meditimin vipassana – që e bën të thotë se “e vetmja konstante e kësajbote është ndryshimi”, është pjesë e mesazhit të tij. Më shumë se një guru, ai mund të cilësohej, më tepër si prototipi i njeriut të ndershëm të mijëvjeçarit të ri, një udhëheqës për kohë të vështira, që ndoshta nuk do të sjellin një mutacion gjenetik, por me siguri një transformim radikal të shoqërive tona. Ndoshta nuk është mjaftueshëm, por përmes dyshimeve të tij, Yuval Noah Harari po na përgatit për këtë?

Patrice BOLLON nga Lire Magazine/ Perktheu T Cela, Lapsi.al

Shpërndaje në: