Parakushtet për milionat e BE-së, KE thotë se Kosovës “mund t’i vijë” pagesa e parë sivjet
Komisioni Evropian po synon që përmes milionave të Planit të Rritjes të afrojë vendet e Ballkanit Perëndimor sa më afër Bashkimit Evropian. Presidentja e këtij institucioni ka nisur një vizitë në rajon, duke e vazhduar me Prishtinën.
Ursula von Der Leyen sot ka takuar presidenten Vjosa Osmani, takim pas të cilit ka mbajtur edhe një konferencë për media dhe më pas ka shkuar për takim në Qeverinë e Kosovës me kryeministrin Albin Kurti.
Komisioni Evropian në faqen zyrtare në “facebook” ka shkruar për këtë vizitë të Von Der Leyen, duke potencuar edhe çështjen e para pagesave, të cilat synohet të bëhen para fundit të vitit.
Kosova bashkë me Serbinë, për të përfituar nga këto fonde të BE-së, do të duhet të përmbushin edhe parakushtet që lidhen me dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve, përveç kushteve të përgjithshme.
KE në njoftim ka thënë se në total për Kosovën janë dispozicion më shumë se 880 milionë eruro dhe se pagesa e parë mund të vijë deri në fund të vitit, raporton Express.
“Kosova ka bërë një punë të madhe në agjendën e reformave. Presidentja von der Leyen vizitoi sot Kosovën dhe theksoi progresin e saj në reformat e saj në lidhje me BE-në. Në përgjithësi, më shumë se 880 milionë euro janë në dispozicion për Kosovën sipas Planit të Rritjes. Duke filluar me një pagesë të parë që mund të vijë deri në fund të vitit”, thuhet në faqen e Komisionit Evropian.