Limaj: Kosovës i duhet fitorja e opozitës, Kurti e ka humbur mundësinë e artë

Limaj: Kosovës i duhet fitorja e opozitës, Kurti e ka humbur mundësinë e artë

“Lufta opozitare e Fatmir Limajt” ka qenë tema e së mërkurës në “Politiko” me Kushtrim Sadikun, teksa të ftuar kanë qenë kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe komentatorët politikë Halil Matoshi, Nexhmedin Spahiu dhe Blerim Gashi.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka hedhur kritika në drejtim të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se këta të fundit kanë keqqeverisur dhe dështuar në çdo dikaster për katër vite, shkruan Gazeta10.

“Nuk provohet shteti o djem” kishte qenë thënia e Limajt në fillim të mandatit të qeverisë Kurti.

Tashmë, Limaj në “Politiko” ka thënë se me këtë qeveri është dëshmuar se ai ka pasur të drejtë, ngaqë sipas tij, në çdo fushë ka pasur stagnim dhe dështime.

 

 

“Çka ka ndodhur për katër vite, shëndetësia është keq, arsimi keq, çmimet janë në qiell, nuk e di a e dini por 40% janë rritur çmimet që nga viti 2019. Kur ju dilni thoni që një kg kushton 90 cent me e bë 70, sepse thotë do ta heqi TVSH-në nga artikujt ushqimor sidomos për artikujt e shportës dhe ju e shihni se në çdo market, ai artikull ka shkuar 1.20 ose 1.30, kjo tregon qe jo vetëm që nuk e ka mbajtur premtimin, por ka ndodhur e kundërta”, tha Limaj.

Limaj ka thënë gjithashtu se me këtë qeveri nuk ka rritje të pagave dhe as investime kapitale, ndërsa ka përmendur në veçanti edhe shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Sipas Limajt, qytetarët e Kosovës e paguajnë më së shtrenjti rrymën në rajon.

“Ne e paguajmë energjinë elektrike më se shtrenjti në rajon, është shumëfishuar, bile është rritur çmimi fsheht nga opinioni. Kemi rritje enorme e në anën tjetër nuk kemi rritje të pagave, nuk ka investime kapitale”, tha Limaj.

Tutje, Limaj kritikat nuk i ka kursyer as për kryeministrin Kurti, por edhe deputetët dhe ministrat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Nismës ka thënë se deputetët e VV-së kanë qenë të papërvojë nga ana profesionale, duke thënë se “puna e pare e tyre ka qenë në institucione shtetërore”.

“90% e tyre e për më tepër e kanë pasur punën e parë në institucione shtetërore. Nuk kanë pasë ndonjë histori në biografinë e tyre profesionale. Nuk kanë pasë ndonjë jurist me emër, ndonjë ekonomist…”, tha ai.

E për raportet e Kurtit me ministrat, Limaj gjithashtu nuk është kursyer aspak me kritika e kunja.

Nga këndvështrimi i Limajt, kjo qeveri ka shpërfaqur një lloj arrogance në vazhdimësi.

Sipasj tij, Kurti rreth vetes në këtë mandat nuk ka pasur ministra, pasi nuk i ka llogaritur si të tillë, por që më shumë i ka parë si shërbëtorë.

“Kam parë që kryeministri Kurti nuk ka ministra, por një grup njerëzisht që më shumë i ka parë si shërbëtorë dhe jo si njerëz që kanë një backround profesional”, tha Limaj.

Ndërkaq me i ashpër është treguar me opinionin e tij lidhur me koordinatoren e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihalin, ndërsa ka komentuar mesazhet e saj me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin.

Ai ka thënë se Dejona Mihali po e udhëheq ndërmarrjen KEK, ndërmarrje kjo që siç tha Limaj, do të duhej të ishte e pavarur.

“Dejona ta udhëheqë KEK-un nga zyret e partisë, cili është funksioni i detyrës së saj? KEK është ndërmarrje e pavarur publike, ju shkoni nga zyrat e partisë e drejtoni punësimin, shitjen, blerjen, bile edhe me ta nalë rrymën këtu në studio”, tha Limaj.

Në vazhdën e kritikave nuk munguan as debatet mes Limajt dhe komentatorëve politikë.

Tutje Limaj tha se është i vetmi politikan në Kosovë që është i pastër, siç tha ai, me vulë të gjykatës.

“Të vetmin politikan në Kosovë e keni që ju del përball me të gjitha, jo vetëm që s’ka të errët nga deklarimet e mia por edhe me vulë të gjykatës, por edhe ata kundërshtarët, oponentët e mi që janë munduar me më qit në errësirë, gjykata ka dalë dhe i ka dhënë vulë pastërtisë”, ka thënë Limaj.

Debatet e pyetjet për vizionin e Limajt nuk munguan as nga gazetari Matoshi.

Duke folur për çështjen në veri, Matoshi e ka pyetur Limajn se çka do të bënin ata po të ishin në qeverisje, ndryshe nga qeverisja Kurti.

“Po të ishit ju në qeverinë aktuale ose që vini ju në qeveri, cili është vizioni juaj me veriun sepse kot flasim për rezultatet e juaja ose mosrezultatet e Kurtit, tash tregona qysh do të veproni ju ndryshe?”, pyeti Matoshi.

Ndërsa, Limaj u përgjigj se do të jetë në koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë, teksa theksoi se nga ta do të kërkonte njohje për Kosovën.

“Nëse ti vjen dhe më thua që Beogradi nuk është i gatshëm me na njoftë, në rregull do të bëjmë diçka tjetër, pesë vendet njohjen dhe NATO-n. Unë e kuptoj që nuk mund të bindni Beogradin, në rregull njohjen dhe NATO-n”, tha Limaj.

Shpërndaje në: