Ancelotti e zbulon “recetën” e përmbysjes së Dortmundit
Carlo Ancelotti ka folur në konferencë për shtyp pas fitores me përmbysje ndaj Borussia Dortmundit.
Trajneri i Real Madridit e lavdëroi ekipin për paraqitjen e mbrëmshme në fitoren 5:2, ndonëse në pjesën e parë ishte në disavantazh prej 0:2.
“Ne folëm me qetësi rreth ndryshimit të gjërave në pjesën e dytë. E zhvendosa sistemin dhe ekipi solli më shumë intensitet. Ne ishim mjaft të ndrojtur në pjesën e parë, nuk bëmë presion dhe ua lejuam atyre ta kontrollonin lojën. Ata i shënuan dy gola relativisht të thjeshtë dhe ishte e qartë se ne kishim nevojë për ndryshime. Ekipi e bëri një punë të madhe në pjesën e dytë. Pjesa e dytë ishte më e mira e sezonit tonë, me një presion më të mirë, me intensitet më të lartë. Pjesa e dytë tregoi se çka duhet të bëjmë dhe se si duhet ta bëjmë këtë. Mund të jetë moment kyç i sezonit tonë”, deklaroi Ancelotti pas lojës.
“Unë mund ta shpjegoj këtë lojë kështu: ne ishim mjaft të ndrojtur në pjesën e parë dhe na mungoi intensiteti. Ishim të organizuar, por nuk bëmë presion në top dhe ata e kontrolluan lojën. I kishim rastet dhe e qëlluam tërthorësen, por ishim paksa më të rezervuar se që duhet. Duke marrë më shumë rrezikime në pjesën e dytë, ne luajtëm me një energji më të madhe. Duhet të bëjmë presion gjithmonë sepse kemi aftësi fizike për ta bërë këtë”, vazhdoi trajneri italian.
“Në pushimin mes pjesëve iu thash lojtarëve se t’i shënojmë tre gola do të ishte ideale dhe se ku do të duhej të fokusoheshim: të mos gabonim në pasime, t’i fitonim duelet tona, të bënim presion më mirë, të shfaqnim intensitet të ngritur. Kjo është dinamika e lojës së re. Gjithçka ndryshoi me golin tonë të parë”, përfundoi trajneri i “Los Blancos”.