KINOSTUDIO KOSOVA E RE
Shkruan: Ismail Tasholli
Kinostudioja “Shqipëria e Re” ishte “maqina” për paketimin dhe shpërndarjen e mendimit ideologjik të regjimit komunist në Shqipëri.
Nëpërmjet filmave, dokumentarëve dhe kronikave të lajmeve, ajo ishte një nga mjetet kryesore propagandistike që e formësonin mënyrën se si qytetarët duhet të mendojnë dhe ta perceptojnë realitetin.
Zakonisht e kanë koncentru propagandën mrena dy kategorive, romantikës dhe folklorit.
Romantizmi shfaqet përmes paraqitjes idealizuese të jetës në Shqipërinë socialiste me heronj që sakrifikohen për kombin, kolektivin dhe partinë.
Ndërsa folklori ndihmonte në krijimin e një ndjenje krenarie kombëtare, tu e theksu trashëgiminë e pasur të vendit.
Një lloj skizofrenie kolektive, kur dihej që po e hanin bukën në racione që ua ndante PARTIA.
Tani, mesiguri, po e dini pse KOMISARËT nga atje kanë respekt sot këtu te ne, dhe janë pjesë e vendimarrjeve të rëndësishme. E prunë PËRVOJËN e shekujve tjerë për pushtetin tonë: se si kontrollohet mileti me fabula – jo pse ishin ma shqipëtarë se na, apo pse kishin brenga “kombëtariste”. Te ata që ju ka nalë sahati – dhe jo vetëm – po ju bën punë kjo fore bajagi.
Në epokën e Inteligjencës Artificiale, djemtë dhe çikat e reja të këtij PUSHTETI n’Kosovë (shumica) të doken si bashkëkohës të Kennedit dhe Hrushovit, për nga mënyra si e botëkuptojnë politikën. Thu ti veç sa kanë dalë prej furre t’Kinostudios.
Edhe pse i ngojnë bendët më të mira të kohës, edhe pse i njohin regjisorët më të mirë të të gjitha kohërave, edhe pse lexojnë letërsi botënore, bajnë hall vetëm bukën e motmotit, ushtrinë dhe sovranitetin.
Gjynah që nuk kanë lindë 60-70 vjet më herët, brenda etheve të Luftës së Ftohtë, kur edhe interpretimet për kozmosin brenda filxhanit të kafesë nuk ishin krejtësisht të quajtura budallallëk.
Pse nuk dolëm e metëm për më shumë se dy dekada brenda “mendësisë albanologjike” të spjegimit të botës, brenda kategorive folklorike të një kiçi politik, nuk e di. Ka shumë perspektiva spjegimi.
Por, në vendin tonë është ba e zorshme me fol për tema “të thjeshta” si ajri i ndotun, që na e ka ba jetën të frikshme. Për ambientin, mirëmbajtjen. Për ujin e pijshëm – që dy herë Kryeqyteti duhet të blejë ujë në shishe. Për cilësinë e ushqimeve. Për bërllogun – flliqësinë. Për transportin urban. Për urbicidin. Për shëndetësinë. Për ekonominë – në rënie t’lirë. Për komunikacionin që po i çon qytetarët drejt kancerit. Për drejtësinë. Për artin. Për teknologjinë. Për burgjet e vendeve të tjera në territorin tonë. Për stresin. Për cilësinë e jetës sonë. Për secilin fenomen negativ që ky pushtet i shtoi kfasac për me fry edhe më shumë.
Është e zorshme me fol me ata që ky pushtet për kaq vjet i ka nxanë obsesivisht me tema të mëdha për Mitrovicën. Me ata që çohen dhe bien me Serbinë si temë. Ose, me ‘sjelljen’ e Zen-mjeshtërve – “mendimtarëve” – të qetësisë së mendjes dhe harmonisë me botën përreth kur për pushtetet tjera nxjerrnin flakë prej goje në emër të QYTETARISË.
Edhe pse Sartri e zgjeron konceptin e intelektualit të angazhuar të Zolas.
Duke provu të thotë që, për t’u shënu si intelektual – në parim dhe apriori – duhet të jesh kundër pushteteve dhe t’i sfidosh ato me pyetje!
Por, ata që e kanë kabllin e strujës në pushtete, dhe nga aty i mushin bateritë për mënyrën e të menduarit: paradite DEKONSTRUKTOJNË krejt historinë me ftohtësinë nordike, secilin mit (nga Skënderbeu e deri sot), e masdite konstruojnë të VËRTETAT ZYRTARE të pushtetit, për t’i dhanë “logjikën kohezive”.
Ata nuk flasin: as kur këta të pushtetit rrejtën për havaje dhe ia shtjerrën kohën dhe energjinë vendit, as kur prekën sustat ataviste e primitive të kësaj shoqnie, as kur vjedhën shumë, as kur në emër të progresit na shitën bislima, hajdara e nagafca dhe 90% të ministrave analfabetë, as kur sekserët ua hoqën prej dore listat e zeza, as për agimbahtirat e deputetët dibiduza. Shujtën ton kohën për këta chucknorrisa politikë, që e vizatojnë rrethin me vizore.
Ndoshta janë pjesë e tregimit zyrtar që fillimisht qeverisja tani duhet të barazohet për keq me pushtetet e kaluara e pasi të barazohet helbete flasin, nis matja. Çfarë plani, ha ha ha!
Shnosh, por një ditë patjetër do të përballemi dhe matemi me këtë pushtet. Sa afër dhe larg tij jemi me bindje, do të jetë harta mendore e secilit…
Një lloj testi i PISA-s politike.
Sepse, krejt hapësirën publike na e kanë kthy në folklor dhe tallava. Me një fjalë, na kthyen te premisat e KINOSTUDIOS dhe romantika e RILINDJES KOMBËTARE, në shekullin e TEKNOLOGJISË.
Regresin monumental po ja mirëmbanë një pjesë e mimikërisë qytetare. Për inati, për idhnakësitë primitive ballkanike, për kthim borxhi kur shfajsoi mediokërit duke ua maru strehimoren. Shnosh!
Z.Kurti, lideri i fundit i mendësisë së vjetër dhe tranzicionit politik n’Kosovë, është i delegjitimuar për t’u ujdisë me frymën e kohës, nevojat qytetare. E mira e krejt kësaj është se bashkë me te do të delegjitimohen edhe intelektualët FAKE që s’ua qiti goja kurrë asnjë kritikë mbi patetizmin dhe porno-nacionalizmin e këtij pushteti që rezultat të vetëm e ka LLAFOLOGJINË, zhurmën, pshtymën. Kasetat e Vitit t’Ri dhe urën e Saradranit.