Shqetësuese: Për gjashtë muaj mbi 60 mjekë e lëshuan Kosovën

Shqetësuese: Për gjashtë muaj mbi 60 mjekë e lëshuan Kosovën

Mbi 60 mjekë kanë lëshuar Kosovën në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Ndërkaq, rrezikohet që institucionet shëndetësore sekondare dhe ato terciare, brenda pak viteve të mbesin pa profesionistë shëndetësor.

Faktorët që po kontribuojnë në këtë fenomen përfshijnë papunësinë, mungesën e investimeve në infrastrukturën ligjore, kushte të papërshtatshme pune dhe cilësinë e ulët të shkollimit specialistik.

Kështu thotë kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu në një intervistë për KosovaPress, derisa potencon se dallojnë arsyet e largimit të mjekëve nga Kosova në vitin 2023 dhe këtë vit.

Sejdiu thekson se brenda dy apo tri viteve do të vërehet dukshëm mungesa e mjekëve në nivelin sekondar dhe atë terciar. Përveç trendit të braktisjes së vendit të punës, ai tregon se këtë vit do të pensionohen rreth 100 mjekë.

Sejdiu thotë se mungesa e furnizimit me barna dhe materiale, salla operative si dhe mungesa totale e një sistemi shëndetësor janë disa nga sfidat me të cilat përballën mjekët në Kosovë.

Gjatë vitit 2023 rreth 170 mjekë kanë lëshuar vendin e tyre të punës në Kosovë, për të dalë jashtë vendit.

Shpërndaje në: