Bislimi i quan të padrejta masat e BE-së, kërkon heqjen e tyre sipas rekomandimit të Borellit

Bislimi i quan të padrejta masat e BE-së, kërkon heqjen e tyre sipas rekomandimit të Borellit

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Bislimi këtë kërkesë e pati teksa priti në takim gjatë ditës së sotme ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.

Sipas një njoftimi, gjatë takimit thuhet se u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e tyre.

“Integrimi evropian i Kosovës, ishte gjithashtu në fokus të bisedës, ku zëvendëskryeministri theksoi angazhimin e vendit në kuadër të Planit të Rritjes, si dhe rëndësinë e ecjes përpara në hapa me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Tutje, në njoftim thuhet se zëvendëskryeministri nënvizoi dhe nevojën për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat vijojnë të jenë të padrejta e të mbeten në fuqi edhe pas konstatimit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell në raportin e tij ku rekomandon që masat duhet të hiqen.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar vazhdimisht që masat ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura nga Bashkimi Evropian mbi një vit më parë të hiqen. Këtë kërkesë kryeministri Kurti tha se e edhe gjatë ditëve të fundit.

Por zëdhënësi i BE-së Peter Stano, u përgjigj duke thënë se “Nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen apo jo, ky është një vendim që duhet ta marrin shtetet anëtare”.

Ai bëri të ditur se diskutimet për këtë çështje vazhdojnë të zhvillohen mes shteteve të bllokut, derisa përmendi edhe raportin e shefit të tij, kryediplomatit Josep Borell, në të cilin rekomandohej heqja e këtyre masave.

“Përfaqësuesi i Lartë ka lëshuar më 3 qershor një deklaratë në emër të BE-së, i pasuar nga raporti i Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e Kosovës. Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”, ka thënë Stano.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para më shumë se një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.

Masat e BE-së ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).

Shpërndaje në: