Policia: Ilir Meta u arrestua me forcë pasi refuzoi urdhrin dhe ofendoi

Policia: Ilir Meta u arrestua me forcë pasi refuzoi urdhrin dhe ofendoi

Policia e Shqipërisë njoftoi se ish-presidenti Ilir Meta refuzoi urdhrin për arrestim dhe lëshoi fjalë fyese ndaj zyrtarëve policorë.

Ai u arrestua të hënën me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, derisa autoritetet njoftuan se në momentin e ndalimit i është komunikuar vendimi për arrestim.

“Rreth orës 13:15 minuta Policia e Shtetit ka marrë informacion dhe më pas ka konstatuar se në vendin e quajtur ‘Kthesa e Kamzës’, në zonën e Laprakës, shtetasi I.M po udhëtonte me një automjet në drejtim të Tiranës. Në këtë moment është bërë ndalimi i automjetit dhe  drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit I.M,  vendimin e gjykatës për masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti. Shtetasi I.M. ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë”, thuhet në njoftimin policor.

Policia bëri të ditur se arrestimi i tij është bërë me forcë pasi “u imponua nga kundërshtimi me forcën e tij”.

“Policia e Shtetit ka marrë për ekzekutim  vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), me kërkesë të Prokurorisë së  Posaçme për arrestimin e shtetasit I.M, 55 vjeç. Për zbatimin e këtij vendimi Policia e Shtetit ka marrë masa operacionale, sipas procedurave të parashikuara nga Rregullorja”, thuhet tutje.

Shpërndaje në: