Një i arrestuar në Gjermani nën dyshimet për lidhje me ISIS-in dhe planifikimin e një sulmi në ambasadën izraelite
Autoritetet gjermane kanë arrestuar një burrë me lidhje të dyshuara me grupin ekstremist ISIS, i cili dyshohet se po planifikonte një sulm ndaj ambasadës izraelite në Berlin.
Bëhet e ditur se burri u arrestua në Bernau, një qytet jashtë Berlinit.
Agjencia gjermane e lajmeve dpa raportoi se i dyshuari pritet të dalë para Gjykatës Federale të Drejtësisë në Karlsruhe, gjykata më e lartë e vendit.
Një zëdhënës i ambasadës izraelite në Berlin konfirmoi se kishte pasur një plan për të sulmuar misionin diplomatik, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Ambasadori izraelit Ron Prosor falënderoi autoritetet gjermane të sigurisë “për garantimin e sigurisë së ambasadës”.
Lajmi për rastin erdhi fillimisht nga gazeta gjermane Bild, e cila raportoi se një njësi policore elitare e armatosur rëndë sulmoi apartamentin e të dyshuarit në Bernau dhe se policia bastisi gjithashtu një apartament në qytetin perëndimor gjerman të Sankt Augustin në lidhje me rastin.