Tahiri i PDK-së: Pas 9 shkurtit, Kosovës do t’i rikthehet normaliteti e RTK-së fisnikëria

Tahiri i PDK-së: Pas 9 shkurtit, Kosovës do t’i rikthehet normaliteti e RTK-së fisnikëria

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, sërish ka reaguar rreth mostransmetimit të seancës së jashtëzakonshme nga mediumi publik, RTK, duke thënë se kufizimi i  lirisë së shprehjes është tipar i tendencave totalitare.

Por, sipas tij, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosovës do t’i kthehet normaliteti e RTK-së fisnikëria si transmetues publik.

“Tentimi për ta kufizuar lirinë e shprehjes është tipari i përbashkët i të gjitha tendencave totalitare. Për pushtetin e kapelave të zeza, ndalimi i fjalës së lirë nuk është thjeshtë ambicie por edhe detyrë. Sepse duke kontrolluar forumin ku transmetohet fjala, ata synojnë t’i ikin ekspozimit dhe përgjegjësisë. Kësisoj, pushteti i kapelave të zeza e ka zhvilluar një raport të tillë përballë mediave, veçanërisht ndaj RTK-së”.

“Një RTK që do të duhej të ishte në funksion të publikut dhe fjalës së lirë, na i mbylli dyert dhe transmetimin pikërisht nga frika e pushtetit. Si akt, ka ndodhur pardje. Si metodë, ka ndodhur që prej ditës së parë të qeverisjes së Vetëvendosjes. Si tendencë, po ndodhë edhe sot dhe synon të vazhdojë edhe më tej, derisa të fusë nën kthetra çdo forum ku flitet hapur dhe kritikohet arsyeshëm. Por fjalën e lirë nuk do të mund ta mbysin. Pas 9 shkurtit, Kosovës do t’i rikthehet normaliteti, e RTK-së, fisnikëria në misionin e vet si transmetues publik”, ka thënë Tahiri përmes rrjetit social Facebook.

Shpërndaje në: