FFK-ja reagon pas skandalit të kryetarit të “Dardanëve” pas ndeshjes ndaj Qipros
Federata e Futbollit e Kosovës ka dënuar veprimet e kryetarit të “Dardanëve”, Lulzim Berisha, pas përfundimit të ndeshjes mes Kosovës e Qipros.
FFK-ja konsideron se kërkimfalja që ka ndodhur ndaj kapitenit dhe futbollistëve shënon mbylljen e një rasti aksidental të momentit, me shpresën se ky rast do të lidhë edhe më tepër futbollistët dhe tifozët.
“Federata e ka përcjellë me shqetësim rastin në fjalë dhe në parim gjithnjë qendron në anën e futbollistëve të ekipit kombëtar, duke shfaqur mbështetjen dhe duke kërkuar respekt për ta. Konsiderojmë që kërkimfalja që ka ndodhur ndaj kapitenit dhe futbollistëve shënon mbylljen e një rasti aksidental të momentit dhe shpresojmë se do të shërbejë si rast që do të lidhë edhe më fuqishëm ekipin dhe përkrahësit para sfidave të reja të kombëtares sonë. Përtej kësaj Federata, çmon shumë dhe shpreh falënderimin e vet për të gjithë tifozët dhe shikuesit që e përcjellin dhe e përkrahin ekipin kombëtar, por kërkon nga ta që të shfaqin respektin fillimisht për futbollistët e ekipit tonë kombëtar, mirëpo edhe për të gjithë akterët tjerë të ndeshjes, përfshirë edhe ekipin kundërshtar”, thuhet në reagimin e FFK-së.
Përpos tifozëve, FFK-ja ka dhënë një mesazh edhe për futbollistët duke i udhëzuar ata që të respektojnë tifozët.
“Ne dhe futbollistët e ekipit kombëtar e kuptojmë saktë dhe drejt reagimin e tifozëve, por në të njëjtën kohë nuk do të lejojmë që reagimet të cenojnë respektin për asnjë prej anëtarëve të ekipit kombëtar. Në të njëjtën kohë, FFK-ja kërkon nga të gjithë anëtarët e saj, përfshirë edhe futbollistët e ekipit kombëtar, që të shfaqin respektin e duhur për të gjithë tifozët dhe shikuesit që vijnë për të përkrahur kombëtaren pa kushtëzim, në numër maksimal sa lejon kapiciteti i stadiumit, sepse janë ata që i japin emocion lojës së futbollit. Ekipi kombëtar është i të gjithë Kosovës, prandaj ta duam dhe ta përkrahim secili duke dhënë kontributin nga këndi i vet”, thuhet në reagimin e FFK-së.
Kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha, thuhet se e kishte ofenduar pas ndeshjes kapitenin Amir Rrahmani. Fillimisht Berisha e kishte mohuar një gjë të tillë, por më vonë kishte kërkuar falje për incidentin e ndodhur.