Biden viziton sot Gjermaninë për bisedime për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të udhëtojë sot për në Gjermani për një vizitë të shkurtër, gjatë të cilës do të diskutojë me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Kievi është duke u bërë thirrje aleatëve të vet perëndimorë të ndërmarrin hapa urgjent për t’i dhënë fund luftës.
Konflikti i zgjeruar në Lindjen e Mesme pritet të jetë gjithashtu lart në agjendën e bisedimeve mes liderëve.
Biden fillimisht planifikoi ta mbante një takim më të madh me mbështetësit ushtarak të Ukrainës në bazën ajrore amerikane në Gjermani, Ramstein, javën e kaluar gjatë një vizite të paraparë treditore. Por, ai e anuloi atë vizitë për t’u marrë me pasojat e uraganit Milton.
Tani, presidenti amerikan do ta kryejë një vizitë të shpejtë. Ai pritet të mbërrijë në Gjermani të enjten vonë dhe të takohet me presidentin dhe kancelarin e Gjermanisë të premten në mëngjes, para se takohet me katërshen evropiane pasdite.
Ai po e bën këtë vizitë në një javë kur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i vizitoi vendet perëndimore për ta paraqitur “planin e fitores” për t’i dhënë fund pushtimit të plotë nga Rusia, i cili nisi në shkurt 2022.
“Situata në fushëbetejë në Ukrainë, trajektorja e luftës dhe si mund aleatët ta mbështesin më së miri Ukrainën, do të jenë temë diskutimi”, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane para vizitës së Bidenit, në lidhje me takimin me udhëheqësit evropianë.
Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz tha të mërkurën në Parlamentin gjerman se SHBA-ja dhe Gjermania nuk do ta ndalin ndihmën për Ukrainën.
“Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të saj, si dhe të demokracisë së saj. Dhe, ne do të vazhdojmë të jemi të tillë”, tha Scholz.
“Por kjo është një kohë kur, përveç mbështetjes sonë të qartë për Ukrainën, duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta kuptuar se si mund të sigurohemi që kjo luftë të mos vazhdojë përgjithmonë, që të mos vazhdojë të vrasë një numër të pabesueshëm grash dhe burrash”, shtoi ai.
Zelensky thotë se plani i tij, i cili do të përfshinte ftesë të pakushtëzuar për Ukrainën për t’iu bashkuar NATO-s tani, synon ta detyrojë Kremlinin të negociojë në mirëbesim.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë aleatë të ngushtë të Izraelit, i cili është bërë gjithnjë e më i izoluar për shkak të fushatës së tij ushtarake në enklavën palestineze të Gazës, ku autoritetet vendase thonë se janë vrarë më shumë se 42.000 njerëz.
“Ne nuk do të pranojmë që Irani të sulmojë Izraelin me raketa”, tha Scholz të mërkurën.
“Kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk duhet të ketë destabilizim të mëtejshëm të rajonit. Dhe, Irani po luan me zjarrin. Kjo duhet të ndalet”, shtoi ai. /REL/