Kurti kujton gjeneral Jackson: Shëndeti s’e la të vinte në Kosovë, vdiq nga kanceri në prostatë

Kurti kujton gjeneral Jackson: Shëndeti s’e la të vinte në Kosovë, vdiq nga kanceri në prostatë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar gjeneral Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it, i cili vdiq të martën.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se shëndeti nuk e la të vinte në Kosovë, për t’u bashkuar në shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të vendit.

“Shëndeti nuk e la të vinte në Kosovë dhe të na bashkohej në shënimet e 25-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, por Gjeneral Michael Jackson ka hyrë përgjithmonë në historinë moderne të Kosovës. Në moshën 80 vjeçare, të martën e 15 tetorit 2024, gjenerali britanik Mike Jackson, vdiq i sëmurë nga kanceri në prostatë.

Mike Jackson ishte njeriu që në emër të trupave të NATO-s e nënshkroi Marrëveshjen Teknike Ushtarake në Kumanovë më 9 qershor 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë duke shënuar kapitullimin e Ushtrisë së Jugosllavisë dhe Policisë së Serbisë. Gjeneral Jackson ishte komandanti i parë i trupave ushtarake të misionit të KFOR-it, duke qenë kështu në krye të fazës finale të çlirimit të Kosovës, në qershor të vitit 1999.” – ka shkruar ai.

Në fund, Kurti ka thënë:

“Jeta dhe karriera e Mike Jacksonit, ishte një jetë e përkushtuar prej ushtaraku, ashtu siç sugjeron edhe vet ai te libri autobiografik i tij, i titulluar thjesht “Ushtar”.

Populli dhe shteti i Kosovës, i kujtojnë miqtë dhe përkrahësit e tyre, në rrugën e pafundme të historisë së lirisë dhe të shtetndërtimit.

Në kujtim të Gjeneral Michael Jacksonit, me mirënjohje të thella dhe vlerësime të larta”.

Shpërndaje në: