Hapet aplikimi për subvencionim të faturës së rrymës, ja kush ka të drejtë të aplikojë

Hapet aplikimi për subvencionim të faturës së rrymës, ja kush ka të drejtë të aplikojë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se zyrtarisht është hapur aplikimi për programin e subvencionimit të energjisë elektrike për konsumatorët e cënueshëm.

Murati, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se familjet që kanë të drejt për aplikim përfshijnë: ato që kanë të ardhura mesatare mujore prej më pak se 150 euro për anëtar dhe pronësi më pak se 100 mijë euro të vlerave të paluajtshme, shkruan Insajderi.

“Për familjet që kualifikohen, subvencioni do të paguhet direkt në faturë, përgjatë 6 muajve të stinës së dimrit, pra për periudhën tetor 2024 deri mars 2025.  Lartësia e subvencionit do të varet nga numri i anëtarëve dhe niveli i të ardhurave mesatare të familjes, por nuk mund të tejkalojë 50 euro në muaj”, ka thënë Murati ndër të tjera.

Ai ka bërë të ditur se aplikimi mund të bëhet në platformën ‘e-Kosova’, tek shërbimi “Grante dhe subvencione” dhe se do të jetë I hapur në vazhdimësi.

“Në mënyrë që të përfitoni që nga muaji i parë, duhet të aplikoni më së largu deri më 31 tetor. Aplikimet që bëhen pas fundit të muajit, mund të përfitojnë vetëm nga muaji pasues e tutje”.

Murati ka sqaruar se në llogaritjen e të ardhurave nuk përfshihen të ardhurat nga pensioni për aftësitë e kufizuara (verbër, para/tetraplegjikë), pensioni për familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës, pensioni për viktimat civile të luftës, pensioni për invaliditet në punë, dhe të ardhurat nga skema e asistencës sociale.

Shpërndaje në: