Abdixhiku i reagon Qeverisë: Sa më të thella skandalet, aq më të thella ofendimet
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se paniku i pushtetit pas shpërthimeve të skandaleve të njëpasnjëshme po i shtynë ata drejt një gjuhe të zakonshme ofenduese – përplot urrejtje e mllef.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku kritikoi qeverisjen aktuale, duke thënë se “sa më të thella skandalet, aq më të thella ofendimet.”
Ai theksoi se zgjedhjet e ardhshme “s’bëhen se kush shanë e kush pështynë më mirë,” por për çështjet e rëndësishme që prekin jetën e qytetarëve.
“Zgjedhjet e ardhshme bëhen për çmimet e larta, pagat e ulëta, investimet që s’bëhen, punët që s’janë, ikjen masive, shkollat e dobëta e spitalet e vjetërsuara; për përballjet e brengat e familjeve kosovare nga mëngjesi deri në mbrëmje!” tha ai.
Kryetari i LDK-së nënvizoi rëndësinë e bashkimit në këto momente sfiduese, duke thënë se “Kosova ka nevojë për përbashkimin e më të mirëve, sepse jemi pak për t’i lejuar të na ndajnë e jemi shumë prapa për t’i lejuar të na mbajnë aty!”
Ai bëri thirrje për angazhim të gjithanshëm deri më 9 shkurt, datën e zgjedhjeve, duke shprehur besimin se bashkë mund të arrihet një Republikë më e fortë.
“Rrugën, drejt një Republike që e meritojmë, drejt shpresës e jetës së mirë, duhet ta bëjmë bashkë,” përfundoi Abdixhiku.