50 mijë euro pagë | Burbuqe Hana e Telekomit “shah n`veti” e bën këshilltare ligjore shoqen e saj të ngushtë

50 mijë euro pagë | Burbuqe Hana e Telekomit “shah n`veti” e bën këshilltare ligjore shoqen e saj të ngushtë

Kryeshefja Ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, në përpikmëri e ka çuar deri në fund “planin e saj”, që për këshilltare ligjore – pranë zyrës së saj – ta bëj Sanije Sahitin, miken e ngushtë të saj.

Periskopi

Para këtij vendimi, Burbuqe Hana paraprakisht kishte kërkuar ‘aminin’ nga Bordi i Drejtorëve të kësaj ndërmarrje publike për lejimin e një këshilltari ligjor pranë zyrës së saj.

Sanije Sahiti hiç më larg se dje ( 9 tetor 2024) ka nënshkruar kontratën e punës për pozitën e re për tri vitet e ardhshme.

Paga e saj është 1400 euro me kohëzgjatje për tre vjet, e sipas një llogarie të thjeshtë i bie që për 36 muaj ajo do të paguhet hiç më pak se 50 mijë e 400 euro.
Kjo është konfirmuar nga zyra për media e Telekomit të Kosovës.

“Zonja Sanije Sahiti është emëruar në pozitën Këshilltare Ligjore në Zyrën e Kryeshefit Ekzekutiv dhe ka nënshkruar kontratë pune me dt. 09.10.2024”, ka thënë zyra për media e kësaj ndërmarrje publike në një përgjigje për Periskopin.

Hana dyshohet se me dy këmbë ka shkelur ligjin e Punës dhe rregulloren e brendshme të Telekomit për punësimet

Kryeshefja e Telekomit dyshohet se ka shkelur procedurat ligjore për këtë emërim e ku këtu bëhet fjalë për ligjin e punës dhe rregulloren e brendshme të Telekomit për punësimet dhe emërimet, qoftë nga jashtë apo brenda kësaj ndërrmarrje publike.

Ligji i Punës nr 03 L 212 , neni 8, pikat 1 dhe 2 thonë kështu :

 

Pika 1 –Punëdhënësi në sektorin publik është i obliguar që të shapll konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës”.

Pika 2 – “Konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar, pa asnjë llojë diskriminimi, ashtu që parashihet me këtë ligj dhe aktet tjera në fuqi”.

Por këtu nuk përfundon gjithçka…

A e shkeli Burbuqe Hana edhe rregulloren e brendshme të Telekomit për punësimet dhe emërimet në këtë kompani?

Rregullorja e brendshme e kësaj ndërmarrje publike e thotë qartë dhe shumë saktë se si duhet të vendoset në rastet kur nga brenda ndërmarrjes vendoset për pozita të reja apo emërime në këtë kompani publike.

Pika 2.14 e kësaj rregulloreje thotë kështu:

Konkurs publik – Nënkupton publikimin e shpalljes për mundësi punësimi në Telekom, i cili është i hapur për të gjithë individët, të cilët plotësojnë kushtet dhe kriteret e parapara me aktet e brendshme në fuqi për të themeluar marrëdhënie të punës me Telekom. Konkursi publik është i hapur edhe për të punësuarit e Telekomit në kohën e shpalljes së publikimit dhe gjithashtu edhe për individët jashtë Telekomit.

Pika 2.15 thotë kështu:

Konkursi i brendshëm – nënkupton publikimin e shpalljes për mundësi punësimi në Telekom , i cili është i kufizuar dhe aplikohet vetëm për individët të cilët, në kohën e shpalljes së publikimit, janë në marrëdhënie pune me Telekomin dhe kanë kontratë aktive të punës me Telekomin.

Me këtë emërim të Sanije Sahiti, dyshohet se Burbuqe Hana e “shpërbleu” atë, me pozitë e paga të lartë, sepse e njëjta në pozitën e ushtrueses së detyrës së menaxheres ligjore ia ka mundësuar në kundërshtim me ligjin që gjatë vitit 2023, të mos e zbatoj udhëzimin në fuqi për konkurse publike gjë që rezultoi më mijëra euro dënime për Telekomin, tashmë të konfirmuara në Zyra Kombëtare e Auditimit. /Periskopi/

Shpërndaje në: