Kurti me diasporen në Këln: Kemi investuar në mbrojtje e siguri, arsim e shëndetësi, bujqësi e teknologji
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Gjermani është takuar me bashkatdhetarët në qytetin e Këln-it.
Kurti ka shprehur mirënjohjen ndaj mërgatës për kontributin e pandërprerë për Kosovën.
Sipas njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, “ata diskutuan për rolin e mërgatës, arritjet e përbashkëta, sfidat dhe rrugën përpara për më shumë progres, mirëqenie e prosperitet në avancimin e shtetit, për vlera shoqërore dhe zhvillimin e drejtë”.
“Ne si shtet, si republikë dhe si histori, ju jemi thellësisht mirënjohës. Gjermania ka qenë shtëpia ku ju keni lulëzuar, duke e mbajtur gjallë frymën e atdheut dhe mbijetesën e kombit. Ndihma gjermane ka qenë vendimtare në çlirimin e Kosovës. Jo vetëm në aspektin diplomatik dhe ekonomik, por edhe në atë ushtarak. Ne nderojmë Gjermaninë dhe ju nderojmë juve, për mënyrën sesi keni kontribuar në shoqërinë e saj, duke ruajtur njëkohësisht lidhjet e forta me atdheun tuaj”- u shpreh kryeministri, më 13.10.2024.
Ai përmendi disa prej sukseseve gjatë mandatit qeverisës ku sipas tij,” janë dyfishuar eksportet e më shumë se dyfishuar investimet e huaja, gjersa kemi rritur buxhetin e shtetit e ulur borxhin publik”.
“Po ashtu kemi investuar në fusha kyçe si mbrojtja e siguria, arsimi e shëndetësia, bujqësia e teknologjia”- ka thënë Kurti, në tubimin e mbushur me flamuj kombëtar dhe me pankarta të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai gjatë qëndrimit në Gjermani është takuar edhe me diasporën në Mynih dhe Shtutgart.