FFK me ankesë në UEFA për thirrjet kundër Kosovës në Nations League

FFK me ankesë në UEFA për thirrjet kundër Kosovës në Nations League

Federata e Futbollit të Kosovës ka paralajmëruar ankesë në UEFA për thirrjet kundër Kosovës në ndeshjet e Nations League mes Çekisë e Shqipërisë dhe Serbisë e Zvicrës.

Reagimi i FFK-së, ku është njoftuar për ndërmarrjen e veprimeve, është bërë të dielën.

“Federata e Futbollit të Kosovës dënon ashpër shfaqjen e banderolave me hartën e Kosovës të mbuluar me flamurin serb dhe mbishkrimin “S’ka dorëzim” si dhe thirrjet kundër Kosovës dhe shqiptarëve që u dëgjuan gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve, Serbi-Zvicër dhe Çeki-Shqipëri. Këto akte të papranueshme, e të cilat po ndodhin në vazhdimësi nga tifozë serbë dhe tifozë të disa vendeve tjera që janë të afërta me grupet e tilla serbe, nuk kanë vend në futboll dhe në asnjë arenë sportive, pasi përhapin urrejtje dhe përçarje mes popujsh e shtetesh. Rikujtojmë se incidentet e tilla janë në kundërshtim të plotë me vlerat që UEFA dhe komuniteti ndërkombëtar i futbollit përfaqësojnë. Futbolli duhet të shërbejë si platformë e fuqishme për promovimin e paqes, bashkëjetesës dhe vlerave të barazisë kudo. FFK, si anëtare e barabartë me federatat e shteteve tjera, ka përgatitur ankesën zyrtare për në UEFA, me dëshmitë e të gjitha shkeljeve e ofendimeve që u bën ndaj shtetit të Kosovës, duke kërkuar që të ndërmerren masa të menjëhershme për të dënuar në mënyrë sa më të ashpër skenat e tilla dhe për të parandaluar përsëritjen e tyre në të ardhmen. Stadiumet e futbollit duhet të shërbejnë si arena spektakli për tifozët e mirëfilltë e jo si vend për të shpërfaqur irredentizëm, racizëm e ofendime të llojllojshme”, ka shkruar FFK. “FFK mbetet besnike e promovimit të vlerave, respektit e solidaritetit në sport dhe do të angazhohet në çdo nivel që të sigurojë se këto akte do të dënohen nga mekanizmat e futbollit ndërkombëtar”.

Shpërndaje në: