Bedri Hamza: Qytetarët nuk janë të sigurtë se mund t’ia dalin deri në pagën e radhës
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se vendin e ka përfshirë një atmosferë ku për Kosovën flitet si temë, e jo si vend.
Ai ka thënë se për ekonominë tonë po propagandohet, por bizneset janë në vështirësi.
“Vendin e ka përfshirë një atmosferë, ku paaftësia për ta vënë në jetë një projekt ekonomik e zhvillimor, iu bie direkt mbi kurriz taksapaguesve, punëtorëve, pensionistëve dhe kategorive më të ndjeshme të këtij vendi. Ku njerëzit që jetojnë nga mundi i tyre, nuk janë të sigurtë se mund t’ia dalin deri në pagën e radhës. Ku të rinjtë e të rejat e këtij vendi, ende e kanë shpresën për ta nisur jetën diku tjetër. Ku dyshimi për arsimin, shëndetësinë, ekonominë, është më i madh sesa besimi se këto janë shtyllat ma të rëndësishme të së ardhmes së shtetit dhe shoqërisë sonë. Ku konfrontimi dhe dyshimi në rrëfimin e Kosovës dhe aleatëve të saj është bërë normë e qeverisjes. Dhe ku Kosova e hapur për zhvillim, mirëqenie, projekte e investime, është hequr nga harta e interesave zhvillimore të atyre që na kanë ndihmuar të ngritemi në këmbë”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se në karakterin e Partisë Demokratike nuk është të qëndrojnë indiferent ndaj kësaj gjendje.
“Përballë këtij depresioni, detyra jonë e parë është që t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme dhe që me një qeverisje të përgjegjshme, të guximshme e të arsyeshme, t’ia ndërrojmë fotografinë Kosovës”, ka thënë ai.