Rama: Kosova nuk gjen asgjëkund një mik si Turqia

Rama: Kosova nuk gjen asgjëkund një mik si Turqia

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Kosova nuk mund të gjejë shtet më mik sesa Turqia.

Në një konferencë të përbashkët me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, Rama deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë më shumë në dialog.

“Nuk ka qenë një njohje e Kosovës e para thjesht zyrtare dhe diplomatike. Ka qenë njohje në kohë reale, në sinkron me punimet e parlamentit të Kosovës dhe kur në televizor përpara të cilit ishte mbledhur e gjithë qeveria me atëherë kryeministrin dhe sot presidentin, deputetët e Kosovës kanë ngritur dorën për të miratuar pavarësinë, qeveria e Turqisë ka njohur Kosovën.

Një mik më të padiskutueshëm në të gjitha ditët sesa Turqia dhe presidenti, Republika e Kosovës nuk e gjen dot asgjëkundi. Ne ndajmë shqetësimin që situate mes të dyja shteteve duhet të përmirësohet dhe se dialogu duhet të prevalojë. E them këtë përpara një personaliteti që dialogun e ka pasur dhe e ka mjetin më të zakonshëm të punës me të gjithë dhe gjithmonë” u shpreh Rama.

Tutje, kryeministri shqiptar tha se synim i Shqipërisë dhe Turqisë është të rriten investimet dhe tregtia midis dy vendeve.

“Presidenti turk e përsërit sa herë takohemi që niveli i shkëmbimeve tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë nuk e pasqyron si duhet potencialin mes dy vendeve. Ambicia jonë është që të arrijmë tavanin 2 miliardë euro për të çelur më pas një fazë të dytë”, shtoi Rama.

Shpërndaje në: