Krimet ekonomike aksion në të gjitha pikat e laboratorit “Avicena”
Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës në mëngjesin e sotëm kanë nisur një aksion në nivel vendi, i cili aksion është duke vazhduar.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
“Ju konfirmoj se Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë është duke realizuar një operacion policor në nivel vendi. Pas përfundimit, apo raportimeve nga tereni do te njoftoheni për detajet apo rezultatet e operacionit”, tha Hoxha, pa dhënë detaje të tjera.
Ndërsa, Gjylferije Zabeli nga zyra për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thase aksioni po zhvillohet me kërkesë të Krimeve Ekonomike.
“Sot nga ora 10:00, me kërkesën e Krimeve Ekonomike në Prishtinë është duke u zhvilluar inspektim në të gjitha pikat e Avicenës në RKS, inspektimi është duke vazhduar. Pas përfundimit do të dilet me një raport”, tha Zabeli.
E njëjta shtoi se inspektimi në fjalë është i përgjithshëm dhe se nuk ka ndonjë kërkesë specifike.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga Avicena, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur. Përgjigje me telefon nuk ka dhënë as Inspektorati Shëndetësor.