Kusari – Lila: Incizime të fabrikuara, PDK-ja koordinohet me Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë
Mimoza Kusari-Lila, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, ka reaguar ndaj akuzave të fundit lidhur me bashkëpunimin me Listën Serbe për pagën minimale, duke theksuar se biseda e fundit me Milan Simiqin ka ndodhur në qershor të vitit 2022.
Ajo ka potencuar se pas kësaj bisedë, ajo e ka përjashtuar Simiqin nga zyra e saj për shkak të një letre kërcënuese që ai kishte lexuar nga kryeterorristi Milan Radoiçiq.
“Me Simiqin biseda e fundit ka qenë në qershor të vitit 2022, pas së cilës e kam nxjerrë atë nga zyra ime për arsye se ai ka lexuar një letër kërcënuese nga Radojiçiq”, ka deklaruar Kusari-Lila në një konferencë për media të enjten.
Ajo ka theksuar se nuk ka pasur asnjë formë komunikim me Listën Serbe lidhur me Ligjin për pagën minimale dhe se incizimet e mbrëmshme janë të fabrikuara.
Kusari-Lila ka thënë se këto veprime synojnë të dëmtojnë integritetin e saj dhe pozicionin e LVV-së.
“Ne nuk kemi pasur nevojë për mbështetje nga Lista Serbe, as nuk e kemi kërkuar atë”, ka shtuar ajo.
Ajo e ka akuzuar PDK-në për një konspiracion dhe dakordim të përbashkët me Listën Serbe, duke vënë në dukje se ata ishin pyetur përse kishin hyrë në sallë kur PDK-ja kishte dalë.
Kusari-Lila ka theksuar se do të vazhdojë t’i bashkëngjisë përgjimet e publikuara të mërkurën, rastit me kallëzimin penal dhe se do të jetë në bashkëpunim me institucionet përkatëse për të sqaruar situatën.