Parandalohen tri raste të kontrabandës me mallra
Policia Kosovës dhe Dogana e Kosovës (Njësia e Task Forcës-Lindje) në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në zonën kufitare ku kanë parandaluar tre raste të kontrabandës me mallra. Në të gjitha rastet veprimet policore veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
Rasti I – Më datë 09.10.2024 pas marrjes së informatave për kontrabandim të mallrave nga Serbia në Kosovë nga njësitet e lartcekura është kryer një kontroll në shtëpinë e personit të dyshuar në fshatin Rogoçicē, komuna e Kamenicës. Gjatë kontrollit është hasur në mallra ushqimore prodhim serbe të cilat dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia në Kosovë. Lidhur me rastin me urdhër të prokurorit kompetent malli sekuestrohet dhe dërgohet në terminalin doganor-Dheu i Bardhë dhe procedohet nga njësitet e Doganës së Kosovës.
Rasti II – Më datë 09.10.2024 nga njësitet Task Forcës-Lindje është ndaluar një veturë me targa serbe drejtuar nga i dyshuari shtetas i Serbisë. Gjatë kontrollit është vërejtur se në veturë kishte të ngarkuara 14 pako me cigare pa asnjë dokument mbi prejardhjen e mallit, gjithsej 140000 mi copë cigare në vlerë rreth 15.000€. Me urdhër të prokurorit kompetent , malli dhe automjeti sekuestrohen dhe janë dërguar në terminalin doganor-Dheu i Bardhë, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Rasti III – Më datë 09.10.2024 pas marrjes së informatave për kontrabandim të mallrave nga Serbia në Kosovë, nga njësitet e lartcekura është kryer një kontroll në shtëpinë e të dyshuarit kosovar nga Kamenica. Gjatë kontrollit është hasur në mallra si duhan, cigare të llojeve të ndryshme me prejardhje serbe dhe pa banderolla, filtera për cigare etj, dyshohet se janë sjellë në mënyrë ilegale në Kosovë.
Përveç mallrave të lartcekura janë hasur edhe monedha metali nga 2 € gjithsej 640€ të cilat dyshohet se janë të falsifikuara, ku nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit- përkatësisht Njësia Rajonale në Gjilan (NJRHKEK-Gjilan) është inicuar rasti ‘Falsifikim i Parasë’ nga neni 296 i KPRK-së. Me urdhër të prokurorit kompetent në Gjilan, malli dhe automjeti sekuestrohen dhe dërgohet në terminalin doganor-Dheu i Bardhë, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.