BE-ja hap “korridor ajror” për të dërguar ndihma në Liban
Bashkimi Evropian tha të mërkurën se kishte nisur një “korridor ajror humanitar” për të dërguar ndihma në Liban, ndërsa luftimet përshkallëzohen midis Izraelit dhe Hezbollahut, grup militant i përkrahur prej Iranit, dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit.
Komisioni Evropian tha se janë planifikuar tre fluturime fillestare për të transportuar ndihma nga Italia dhe Dubai drejt vendit të shkatërruar nga konflikti, me fluturimin e parë që pritet të mbërrijë në Bejrut të premten.
“BE-ja qëndron pranë njerëzve të prekur nga kriza në Liban”, shkroi në X presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Që nga batanijet deri te pakot e strehimit dhe ilaçet. Më shumë ndihma do të vijnë”.
Hezbollahu hodhi predha drejt Izraelit të mërkurën dhe tha se kishte penguar inkursionet tokësore, një ditë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi se Libani mund të përballet me shkatërrim si Gaza, raporton REL.
Brukseli tha se, që nga java e kaluar, po koordinonte dërgesat e ndihmave për Libanin nga shtetet anëtare Belgjika, Franca, Polonia, Sllovakia dhe Spanja.