Nis seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë
Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sot po mbahet seanca fillestare ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur më 11 shtator një aktakuzë ndaj 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, por vetëm tre prej tyre janë në dispozicion të organeve të drejtësisë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Ata janë arrestuar pas sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin, Afrim Bunjaku.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, më pas, u vranë tre sulmues.
Përgjegjësinë për sulmin e shtatorit të vitit të kaluar e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.