Pas rritjes së pensioneve, po kërkohet rritja e pagave për 35%
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të hënën që t’i rris pensionet për 20%.
Pas këtij vendimi janë shprehur të pakënaqur përfaqësuesit e pensionistëve, të cilët kanë thënë se rritja ka qenë e pakënaqshme bazuar me inflacionin e lartë në vend. Në anën tjetër, pas rritjes së pensioneve po kërkohet edhe rritja e pagave në sektorin publik.
Hera e fundit kur Qeveria Kurti bëri ngritjen e koeficientit ishte në fillim të këtij viti, kur vlera e koeficientit u ngrit nga 105 në 110 euro.
Kreu i SBASHK-ut: Qeveria të rrit koeficientin për 30%
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj ka kërkuar nga Qeveria të rris koeficientin e pagave për 30%.
Jasharaj deklaroi se me pagat aktuale është vështirë të jetohet.
Ai nuk shprehet optimist se do të ketë ngritje të vlerës së koeficientit tashmë e jo, siç thotë ai, kur të nis fushata zgjedhore.
“Nga 3 shtatori i kemi dërguar letër Qeverisë që të ngrit së paku 30% vlerën e koeficientit, se me këto paga e me rritje të çmimeve është e vështirë të vazhdohet të jetohet. Qeveria mos t’i ngritë koeficientet e pagat në kohën e fushatës por tash. Jam skeptik që do të rritën por nëse po do të jetë ironike”, u shpreh Jasharaj.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës Publike të Kosovës, Ali Gashi ka deklaruar se Qeveria është e obliguar të trajtoj vlerën e koeficientit çdo vit.
Gashi thotë se nuk pranojnë ngritje të koeficientit më pak se 35%.
Ai tha se me rritjen e pensioneve për 20%, s’ka pritshmëri që do të ketë rritje të vlerës së koeficientit.
“Sipas ligjit të pagave Qeveria është e obliguar që çdo vit ta trajtoj vlerën e koeficientit. Me këtë rritje të pensioneve jemi skeptik për ndonjë rritje të madhe. Ne e kemi propozuar që nuk pranojmë vlerë më pak se 35 % e vlerës së tanishme, vlerë më pak është tendencë për t’i atakuar zyrtarët publik”, thotë Gashi.
Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu ka kërkuar nga Qeveria të ketë rritje të vlerës së koeficientit njëjtë si inflacioni e rritja e çmimeve.
Sejdiu thotë se në baza vjetore duhet të rritë koeficienti i pagave.
“Koeficienti i pagave duhet të rritet paralelisht me situatën ekonomike duke përfshirë inflacionin. Rritja e koeficientit duhet të jetë në baza vjetore”, ka deklaruar Sejdiu për “Front Online.
Vlera e koeficientit për zjarrfikësit duhet të jetë 150 euro.
Kështu po deklaron për “Front Online” kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka.
Beka thotë se nuk pret që Qeveria të bëjë një hap të tillë.
“Vlera e koeficientit është dashur të jetë 150. Nuk besoj që do të ketë ngritje të koeficientit ani pse ka nevojë me këtë rritje të çmimeve e inflacionit është vështirë të mbahet jetë e dinjitetshme”, deklaroi Beka.
Kreu i Zjarrfikësve kërkon edhe një çështje tjetër ta zgjidh Qeveria aktuale për këtë kategori.
“Duhet të trajtohet edhe çështja e shtesave se zjarrfikësit e kanë pas një rrezikshmëri dhe jua ka ndërprerë”, përfundoi Beka
Rritja e koeficientit për 110 euro ka qenë më e prekshme për ata që veçse i kanë pagat më të larta.
Presidentes së shtetit, me koeficientin 18, u janë shtuar 90 euro në pagë. Kryetari i Kuvendit do t’i marrë plus 87.5, kurse kryeministri 85 euro më shumë. Ndërsa deputetëve dhe ministrave u rriten rrogat nga 82 euro.
Rritje më të vogël, me 28 euro, kanë ushtarët e FSK-së. Policëve e zjarrfikësve u janë shtuar në rroga nga 25 euro. Mjekët kanë përfituar plus 60 euro, ndërsa infermierët nga 25.5 deri 30 euro.