Afera me ambalazhuesit, arrestohet Sekretari i MMPHI-së, Izedin Bytyqi
Pasi ia kanë bastisur shtëpinë dhe zyrën e tij në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Albanian Post merr vesh se policia e ka arrestuar sekretarin e kësaj ministrie Izedin Bytyqin, pas një aksioni të organeve të rendit në ministrinë që udhëhiqet nga Liburn Aliu.
Aksioni i kësaj të marte është realizuar pas raportimeve shtatë mujore të AP-së rreth keqpërdorimeve dhe vjedhjeve multimilonëshe me borxhin e ambalazhuesve te ujit në ministrinë që e drejton Aliu.
Ndërkaq Prokuroria Speciale ka njoftuar paraprakisht se janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë dhe të të ardhurave.
“Janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, shpërlarjes së parasë dhe veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë i pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, thuhet në përgjigjen e organit të akuzës për AP.
Gjithashtu është bërë e ditur se bastisja është kryer nga njësiti kundër krimeve ekonomike në kuadër të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.
Albanian Post pati raportuar se si në forma jo ligjore dhe me metodat të shpikura Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e ua ka shlyer borxhet milionëshe dhjetëra kompanive.
Ndërkaq sipas përllogaritjeve të para, nga dokumentacioni i siguruar nga Albanian Post, del se bëhet fjalë për rreth 90 milionë euro.