Policia arreston një zyrtar të Komunës së Prizrenit për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një zyrtar të Inspektoratit të Ndërtimit në Komunën e Prizrenit.
Sipas komunikatës ai dyshohet se ka keqpërdor detyrën zyrtare lidhur me ndërtimin e një kompleksi në fshatin Landovicë- Prizren.
“Pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore, në lidhje me rastin janë siguruar dëshmi se pronari i objektit posedon leje ndërtimi për një projekt, ndërsa pas fillimit të punimeve i njëjti ka devijuar ndërtimet. Nga dëshmitë e rastit është siguruar dyshimi i arsyeshëm se inspektori përgjegjës i ndërtimit nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura ligjore, duke lejuar që pronari ta modifikoj objektin, dhe gjithashtu ka dështuar për të ekzekutuar konkluzionin për rrënim duke ndërmarrë vetëm parcialisht rrënimin”, thuhet në komunikatë.
Lidhur me rastin i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe i njëjti me aktvendim mbi ndalimin është dërguar në mbajtje prej 48 orësh, mbi dyshimet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së.