Policia bën thirrje për shmangie të akteve të dhunës para protestës në Tiranë

Policia bën thirrje për shmangie të akteve të dhunës para protestës në Tiranë

Opozita në Shqipëri ka thirrur protestë kombëtare në pasditen e së hënës, për të kundërshtuar burgosjen e deputetit demokrat, Ervin Salianji.

Partia Demokratike e ka cilësuar protestën si fillim i mosbindjes civile.

Vendimin e Gjykatës së Apelit, opozita e cilëson si politik. Opozita ka kryer disa aksione prej marrjes së vendimit nga Gjykata, përfshirë djegien e karrigeve para Kuvendit dhe katër manekinëve, dy prej të cilëve kanë qenë me imazhet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe ish-ministrit, Fatmir Xhafaj.

Në prag të kësaj proteste, Policia e Shtetit ka marrë disa masa për mbarëvajtjen e tubimit.

Prej orës 18:00, e deri në përfundim të tubimit, në disa rrugë të kryeqytetit do të ndalohet qarkullimi i automjeteve.

“Policia e Shtetit apelon të gjithë ata që do të marrin pjesë në tubim që të distancohen nga çdo akt dhune ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, ndaj punonjësve të policisë, përfaqësuesve të medias dhe gazetarëve”, është thënë në njoftimin e policisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë në fjalimin e tij të fundit – të mbajtur nga arresti shtëpiak – se çdo demokrat është i betuar për çdo sakrificë.

“Demokratët nisin revoltën e tyre, zemërimin e tyre. Nga 7 tetori dhe deri në triumfin tonë nuk ka forcë në botë që të na mposhtë”, ka thënë Berisha.

Mësohet se rreth 1.000 zyrtarë policorë do të angazhohen për mbarëvajtjen e këtij tubimi.

Në shkresën që Partia Demokratike i ka dërguar policisë, ka kërkuar katër orë leje për tubim, nga ora 18:00 deri në orën 22:00, para ndërtesës së Kryeministrisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për skenat që janë parë në dy aksionet paraprake të opozitës, dhe kanë bërë thirrje për dialog./rel/

Shpërndaje në: