Haga deklarohet rreth kërkesës së Jakup Krasniqit për pjesëmarrjen në varrimin e të vëllait
Azem Krasniqi, vëllai i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit, vdiq më 5 tetor.
Lajmi u bë i ditur nga familjarët në orët e mbrëmjes të së shtunës.
Ai u varros të dielën në fshatin e tij të lindjes, në Negroc të Drenasit.
Por, vëllait të të ndjerit, Jakupit i cili tash e katër vjet po gjykohet në Hagë, me gjasë nuk iu lejua pjesëmarrja në varrim.
Zëdhënësja Angela Griep, për Klankosova.tv tha se korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u lejon personave të paraburgosur që t’i bëjnë kërkesa Panelit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare.
“Paneli do të vendosë për këto kërkesa. Të gjitha dokumentet publike, duke përfshirë parashtresat nga Mbrojtja dhe vendimet e gjyqtarëve publikohen në faqen e internetit të KSK-së, kështu që nëse dhe kur ndonjë informacion i mëtejshëm për këtë çështje është i disponueshëm dhe publik, ai do të publikohet në faqen e internetit të KSK-së”, thuhet në përgjigjen e dërguar me shkrim.