Tiranë/ Opozita nesër protestë kombëtare, kërkohet dorëheqja e Edi Ramës

Tiranë/ Opozita nesër protestë kombëtare, kërkohet dorëheqja e Edi Ramës

Në kuadër të mosbindjes civile, opozita në Shqipëri, ka organizuar një protestë kombëtare në Tiranë, ditën e hënë në orën 18:00. Ajo kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama.

Sipas skenarit të PD, protestuesit do të mblidhen para selisë blu për të marshuar drejt kryeministrisë. Pas grumbullimit para kryeministrisë, protestuesit do të shpërndahen në zona të ndryshme me qëllim bllokimin e rrugëve kryesore të kryeqytetit.

Përmes kësaj proteste opozita synon t’i bëjë presion mazhorancës për ngritjen e një qeverie teknike para zgjedhjeve të vitit 2025 si dhe respektimin e Kushtetutës së vendit që sipas demokratëve është shkelur nga mazhoranca për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

Kjo protestë u lajmërua si revoltë kundër arrestimit të demokratit Ervin Salianji për shpifje. Gjithashtu nuk do të mungojnë thirrjet për lirimin e tij, pasi siç e kanë shprehur edhe në aksionet e tjera, burgosjen e Salianjit opozita e konsideron politike.

Së bashku me PD në shesh do të jenë edhe aleatët e saj, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Agron Duka e Vangjel Dule, ndërkohë që Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj dhe Dashamir Shehi nuk do të marrin pjesë, pasi besojnë se kjo nuk është strategjia më e mirë kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Shpërndaje në: