Në Jabllanicë janë zhdukur familje të tëra, thotë kryetarja e Këshillit të Ministrave të BeH
Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto, e shoqëruar nga kryetari i komunës së Jabllanicës, Damir Shabanoviq dhe me bashkëpunëtorë tjerë, vizitoi qytetin të shtunën, i cili u dëmtua rëndë nga përmbytjet e shpejta gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes.
Ajo tha se në këtë tragjedi janë zhdukur familje të tëra, teksa u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave.
“Është shumë e vështirë të flasësh pas këtyre skenave të tmerrshme që kam parë në komunën e Jabllanicës. Njeriu thjesht nuk mund ta besojë. Në radhë të parë duhet të përcaktojmë humbjet njerëzore. Këtu janë zhdukur familje të tëra… ngushëllimet e mia të sinqerta për të gjithë në këtë situatë të vështirë”, tha Krishto për mediat në Bosnjë.
Ajo shtoi se e gjithë shoqëria e BeH duhet të angazhohet në rehabilitimin e pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore.
“Në këto momente më të vështira, duhet të ngremë kokën dhe të themi: duhet të jetojmë, duhet të punojmë, të gjithë së bashku. Fatkeqësisht, një situatë e tillë duhej të na ndodhte për të na lidhur të gjithë së bashku për t’u fokusuar tek njëri-tjetri”, tha kryetarja e Këshillit të Ministrave të BeH.
Ajo premtoi ndihmën e të gjitha niveleve të qeverisë për të eliminuar sa më parë pasojat e përmbytjeve të rrëmbyeshme në Jabllanicë dhe qytete të tjera të BeH.
Kryetari i komunës së Jabllanicës, Damir Shabanoviq ka falënderuar të gjithë ata që u kanë ardhur në ndihmë zonave të prekura.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar se ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar deri në 40 persona ende të zhdukur pas përmbytjeve vdekjeprurëse që kanë lënë disa fshatra plotësisht të shkatërruara dhe kanë shtyrë zyrtarët të shpallin gjendjen e katastrofës.
Sipas REL-it, të paktën 17 persona humbën jetën.