Shteti kërkon ndihmë përsëri nga Ragip “Zhaba” i LDK-së: Kontratë mbi një milion euro me negocim

Shteti kërkon ndihmë përsëri nga Ragip “Zhaba” i LDK-së: Kontratë mbi një milion euro me negocim

Biznesi i Ragip Mustafës, pronar i kompanisë “Beni Dona”, vazhdon të përfitojë nga tenderët publikë edhe pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila më parë e kishte denoncuar publikisht atë si njeriun prapa qeverisë së Avdullah Hotit të LDK-së. Madje, Mustafa së fundmi është akuzuar për furnizim me ushqime jocilësore për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) përmes kompanisë së tij “Beni Dona”.

Këtë herë nuk bëhet fjalë për armë apo logjistikë specifike, por për ndërtim, një aktivitet që ofrohet nga shumë kompani në Kosovë. Policia e Kosovës, megjithatë shmangu procedurat e hapura të prokurimit dhe zgjodhi të zhvillojë negociata me katër kompani për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok.

Tenderi ishte i ndarë ne dy lote. Në të dyja lotet, fitues u shpall konsorciumi BENI – COM SH.P.K. dhe Olti Trasing SH.P.K. Për lotin e parë, vlera ishte 744,000 euro, ndërsa për lotin e dytë që përfshin ndërtimin e objektit për ARC, vlera ishte 420,000 euro.

Vlera totale e tenderit arrin në 1,164,000 euro, rreth 100 mijë euro mbi planifikimin fillestar të Policisë, i cili ishte 1,066,765 euro.

Pronar i kompanisë në konsorciumin “Olti Trasing” është Ragip Mustafa, biznesmeni i cili zotëron edhe kompaninë “Beni Dona”, raporton Demokracia.com.

Ragip Mustafa ka qenë kohët e fundit në shënjestër të Lëvizjes Vetëvendosje për furnizimin e FSK-së me ushqime jocilësore dhe për krijimin e monopolit në tenderët e ushqimit. Deputeti i Vetëvendosjes, Sali Zyba, kishte reaguar ashpër në rrjetet sociale duke akuzuar kompanitë e afërta me ish-qeverinë për përfitime milionëshe nga tenderët publikë. “Nuk keni për ta helmuar ushtrinë dhe për të përfituar miliona më shumë”, kishte shkruar Zyba, duke iu referuar një polemike mbi furnizimin me ushqime për FSK-në.

Një tjetër reagim kishte ardhur edhe nga deputeti Dimal Basha, i cili e ndau një video në rrjetet sociale.

Eksponentë të tjerë të lidhur me pushtetin e kishin cilësuar edhe si Ragip “Zhaba”.

Ndërkohë, kompania lider e rekomanduar për këtë kontratë, “Beni-Com,” ka përfituar shumë tenderë edhe nga qeverisjet e mëparshme të LDK-së, veçanërisht në Komunën e Prishtinës. Por, historia e kësaj kompanie nuk është pa kontestime: Policia e Kosovës e kishte dërguar pronarin e saj, Ismet Konushevcin, në Prokurori, dhe atij tashmë i është konfirmuar aktakuza.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 tetor 2023, Konushevci akuzohet se ka shkelur rregullat e prokurimit publik duke prezantuar një vërtetim të rremë gjatë një oferte për marrjen me qira të makinerive për Policinë e Kosovës. Këto veprime janë të ndëshkueshme sipas nenit 415, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik.

Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, Konushevci është ulur për herë të fundit në bankën e të akuzuarve në muajin gusht të këtij viti.

Shpërndaje në: