Rritet kostoja e jetesës në Shqipëri, sa shpenzon mesatarisht një familje në muaj?

Rritet kostoja e jetesës në Shqipëri, sa shpenzon mesatarisht një familje në muaj?

Një familje me katër anëtarë në Shqipëri shpenzon 92 mijë lekë në muaj (780 euro). Nga këto, 40% të totalit i harxhon vetëm për ushqime.

Kostoja e jetesës për një familje me katër anëtarë në Shqipëri është rritur vitin e kaluar. INSTAT raporton se shpenzimet arritën mesatarisht 92 mijë lekë në muaj (780 euro), ose 4% më shumë se në vitin 2022.

Pjesa më e madhe e tyre sërish shkoi për ushqime, për të cilat mesatarisht në një muaj familjet harxhuan 36 mijë lekë(306 euro). Produktet ushqimore që kushtuan më shtrenjtë ishin mishi dhe nënproduktet e tij, buka, si edhe perimet.

Nga ana tjetër, për faturat e ujit dhe energjisë, shpenzimet në rang vendi ishin 8,900 lekë (75 euro).

Në ndryshim nga viti 2022, vitin e kaluar familjet rritën shpenzimet për higjienë personale, trajtime estetike dhe për shërbime parukerie. Po ashtu, më shumë u shpenzua edhe për pije alkoolike, për mobilim banesash dhe për blerje pajisjesh për gatim.

Tri janë qarqet ku një familje me katër anëtarë shpenzon më shumë. Lista kryesohet nga Tirana, e cila është qarku i vetëm mbi mesataren, ndjekur nga Korça dhe Durrësi.

Ndërsa Kukësi dhe Dibra vijojnë të mbeten qarqet ku shpenzimet mesatare mujore për konsum janë më të ulëta. /euronews.al

Shpërndaje në: