Grupi malazez kriminal i barnave synon të hyjë në tregun kosovar
Kush është kompania malazeze apo “grup i organizuar kriminal në sektorin e shëndetësisë” që po synon të hyjë në Kosovë ? Bëhet fjalë për kompaninë “Glosarij” që po synon të përbirohet në tregun kosovar të barnave përmes një kompanie multinacionale. Nuk dihet nëse Ministria kosovare e Shëndetësisë do ta lejojë hyrjen e saj në treg, por nëse kjo ndodh, atëherë duket se shëndeti i njerëzve rrezikohet seriozisht – të paktë nëse merren për bazë shkrimet e vazhdueshme në mediat malazeze për këtë kompani, që ndryshe cilësohet si “grup kriminal”.
Mali i Zi kishte rreth 20 kompani farmaceutike me shumicë që importonin e shpërndanin barna në vend. Më pas u shfaq “Glosarij”, një kompani që tash e ka në dorë pothuajse të gjithë tregun atje. Të gjithë kompanitë tjera u zhduken; si duket nga metodat aspak ligjore që ndjek kjo kompani.
Kjo kompani, e themeluar nga biznesmeni kontrovers Branislav Brano Martinoviq, po synon tash edhe tregun farmaceutik të Kosovës, përmes një kompanie multinacionale, që mbetet e paqartë se si ka arritur ta marrë miratimin e saj për distribuim të barnave.
Sipas webfaqes së “Glosarij”, menaxhmenti aktual i kompanisë përbëhet nga Mirjana Mijuskoviq, drejtoreshë ekzekutive, Milosh Martinoviq, drejtor financiar dhe Goran Martinoviq drejtor i marketingut.
Historiku i kësaj kompanie farmaceutike është i mbushur me skandale. Kompania e themeluar në vitin 1992 në Cetinje, e përshkruan veten si “lidere në fushën e furnizimit të tregut me ilaçe humane, pajisje dhe materiale mjekësore, si dhe produkte dietike dhe kozmetike”.
Kjo kompani viteve të fundit ka marrë edhe epitetin “grup i organizuar kriminal në sektorin e shëndetësisë” në Malin e Zi.
Krahas kompanive “Glosarij” dhe “Glosarij CD”, Martinoviq zotëronte edhe dy kompani të tjera farmaceutike me emër të ngjashëm në të njëjtën adresë. “Glosarij PH” ishte regjistruar në vitin 2013 dhe ishte likuiduar në vitin 2014. Kompania ishte themeluar “Glosarij”, ndërsa drejtor ekzekutiv ka qenë djali i pronarit të “Glosarij”, Millosh Martinoviq. Një kompani tjetër, “Glosarij M”, veprimtaria e së cilës përshkruhej se ishte edhe tregtia me shumicë e produkteve farmaceutike, ishte themeluar edhe nga Martinoviq në fund të vitit 2012. Drejtori ekzekutiv i saj ishte djali i dytë i tij, Goran Martinoviq. Edhe kjo kompani ishte likuiduar në vitin 2014.
Në shtetin fqinj, ankesat për barna të shtrenjta janë shumë prezente ndërsa kompania përgjegjëse është vendosur gjithnjë e në pozitë më të privilegjuar.
Tregu i përgjithshëm farmaceutik i Malit të Zi në vitin 2019 ishte rreth 200 milionë euro, dhe “Glosarij” së bashku me dy nënkompanitë e saj përfitonte shumicën, gjë që përkthehet me kontrollin e shumicës së tregut farmaceutik.
Ai kontrollohet nga Martinoviq dhe nëse llogariten mbi 20 vjet që kompania e tij zotëron tregun farmaceutik, fitimi duhet të jetë miliardësh.
Nëse llogaritet se kjo ka ndodhur në 20 vitet e fundit, atëherë arrijmë në të dhënat që me një diferencë prej 50 për qind kanë shitur rreth një miliard euro nga sistemi shëndetësor
Emri i Martinoviq ishte i lidhur edhe me kontrabandën e citostatikëve ilegalë nga Italia në Mal të Zi.
Citostatikët e shtrenjtë u dëmtuan pasi humbën efektivitetin e tyre në kontakt me ajrin gjatë ripaketimit. Megjithatë, me çmime më të larta, ata u gjendën në tregun e Malit të Zi. Sipas mediave italiane, paratë ishin paguar nga llogaria e një kompanie farmaceutike malazeze, emri i së cilës nuk është përmendur, por Martinoviq për këtë rast kishte dhënë një deklaratë në Prokurori.
Lidhjet e biznesit të “Glosarij” dhe Qendrës Klinike të Malit të Zi lidheshin me emrin e Dr. Milan Mijoviq, që siç raportojnë mediat në Podgoricë, më pas shkon në Serbi dhe bëhet drejtor i “Medigrup” nga Beogradi, që e zgjeron biznesin në Mal të Zi.
Në tetor të vitit të kaluar Radio Evropa e Lirë raportonte se kompania “Glosarij” e kishte regjistruar Fentanyl, një qetësues kundër dhimbjeve, prodhim gjerman, por më pase kishte ndalur importimin e tij.
Ky medikament u përmend në disa raste, ndërsa përdorej prej vitesh nga narkomanët në Mal të Zi. Fentanyl është një qetësues kundër dhimbjeve që është deri në 50 herë më i fortë se heroina dhe deri në 100 herë më i fortë se morfina. Është shumë problematik. Është vdekjeprurës në një dozë prej vetëm dy miligramësh. Ai gjendej edhe në tregun ilegal dhe konsumuesit e përzienin me droga të tjera, si heroina, kokaina apo metamfetamina. Normalisht, ai u përshkruhej pacientëve me sëmundje shumë të rënda e shumë të rralla.
“Glosarij” shprehej e painformuar për ndonjë keqpërdorim, ndërsa Fentanyl ishte bërë shkaktari kryesor i vdekjeve nga mbidoza në SHBA, deri kur 25 kompanive iu vendosën sanksione.
Pronari i “Glosarij” kishte paguar mbi 30 mijë euro në vitin 2009 për t’ia blerë një banesë ish-kryeprokurorit të posaçëm të Malit të Zi, Milivoje Katniq, i cili u arrestua në prill për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Vetëm pak muaj pas kësaj, Katniq ia kishte shitur këtë banesë kompanisë “Glosarij” për 96 mijë euro.
Katniq atëherë ishte gjykatës i Gjykatës së Apelit.
Në vitin 2018, deklaratat e një politikani në Mal të Zi, Nebojsa Medojeviq, ishin marrë nga Prokuroria Speciale e Malit të Zi për të ngritur rast në lidhje me operimin kundërligjor të “Glosarij” që ka monopol në tregun malazez në bazë të të cilit fiton fonde enorme.
Sipas informacioneve, kjo kompani – që ndryshe quhet grup kriminal – ka gjetur një deriçkë për t’u futur në tregun farmaceutik të Kosovës. Mbetet të shihet nëse autoritetet e Kosovës do ta lejojnë një gjë të tillë, por nëse respektohen ligjet e Kosovës, atëherë kjo kompani nuk do të arrinte të licencohej për operim.