Rikthehen radhët në Morinë, pushon marrëveshja e lëvizjes së lirë gjatë verës
Marrëveshja e lëvizjes së lirë mes pikave kufitare të Vërmicës dhe Morinës, gjatë sezonit turistik, nga një tetori ka pushuar së funksionuari, duke rikthyer radhët e pritjes në kufirin e Kosovës e Shqipërisë.
Pavarësisht se pikat kufitare po punojnë me katër sportele secila, drejtuesit e automjeteve dhe udhëtarët po qëndrojnë 20-30 minuta në kufi për të përpunuar të dhënat e tyre. Vonesat në verifikimin e kontrolleve kufitare kanë krijuar edhe radhë autokolonash me automjete, raporton A2.
Qytetarët kërkojnë që marrëveshja e verës të rikthehet edhe në periudhën tjetër të vitit, ndërsa kontrollet të ushtrohen për personat që mund të jenë të dyshuar.
“Jemi nisur nga aeroporti i Tiranës e po shkojmë në Shkup, këtu në kufi është katastrofë, po presim 30 minuta për shkak të radhëve. Po udhëtojmë drejtë Shkupit”, thotë një qytetar nga Maqedonia e Veriut.
Marrëveshja e lëvizjes së lirë të nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë në pranverën e këtij viti shmangu trafikun dhe lehtësoi lëvizjen kufitare gjatë sezonit veror.
Pika kufitare tokësore e Morinës përpunon numrin më të madh të qytetarëve në Republikën e Shqipërisë.